Lajme

Kurti: Kur flasin për dhunë në Serbi flasin për vete nuk flasin për republikën tonë

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha se deklaratat e krerëve në Serbi janë nxitëse dhe se nuk mund të flasin në emër të Kosovës.

Kurti gjatë vizitës në Doganë i është përgjigjur deklaratave të presidentit serb Aleksandar Vuçiq se Kosova po përgatitet për sulm ndaj serbëve në veri.

“Së pari edhe në bazë të fitores së shkurtit të vitit të kaluar unë jam kryeministër i shpresës dhe i progresit ndërsa në serbi keni një president të frikës dhe kërcënimit. Kur flasin për dhunë në Serbi flasin për vete nuk flasin për republikën tonë, për ne flasin instituicionet”, tha ai.

Kurti tha tutje se Kosova është për paqe dhe stabilitet afatgjatë.

“Dita e 1 gushtit do të shkonte tërësisht paqësore mirëpo me 31 korrik u ngritën ato barrikada prej njerëzve që kishin nxitur dhe organizuar strukturat paralele që u bënë banda kriminale pra kur ata flasin flasin për vete ne jemi për paqe dhe stabilitet afatgjatë”.

“Jemi te Doganat e Kosovës në vitin 2021 janë rritur mbi 30% të hyrat në dallim me vitin 2020. Këtu konstatojmë progresin e Kosovës.  Ne duhet ta mbrojmë këtë progres dhe ka autokratë që janë të shqetësuar me progresin e Kosovës, mos harroni se deklaratat e Beogradit kur folin për Kosovën janë duke folur për vete”.

Kosova dhe Serbia.
Lexo edhe:
Vuçiq pretendon se Kosova po përgatitë sulm ndaj serbëve në veri

Kujtojmë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka përhapur një propagandë se kinse Kosova “është duke përgatitur sulm në Veri për vrasjen e serbëve”.

“Po përgatisin likuidimet e njerëzve tanë në veri” – tha Vuçiq dhe paralajmëroi që të mos e bëjnë këtë.

Vuçiq ka mohuar të ketë kërkuar ndihmë nga aleati i tyre, Rusia për ta sulmuar Kosovën.

“Ata (Kosova) nuk kanë me çfarë të mburren, kështu që shkojnë me trillime. Ata përmendin Rusinë, madje Zakharova tha se ne nuk kemi kërkuar ndihmë, çfarë po shpikni tjetër, ne kemi vendin tonë dhe Kushtetutën, të drejtën ndërkombëtare”, tha Vuçiq, raporton “Nova“.

Theksojmë se kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq do të takohen në Bruksel më 18 gusht, pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës si rezultat i vendosjes së masave të reciprocitetit nga qeveria kosovare.

Sipas një njoftimi nga Peter Stano, zëdhënës i Komisionit të BE-së, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Marrëdhëniet me Jashtë dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell, i ka ftuar dy liderët në Bruksel./Shqip.com