Lajme Ballkan

Vuçiq pretendon se Kosova po përgatitë sulm ndaj serbëve në veri

Presidenti i Serbisë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka përhapur një propagandë se kinse Kosova “është duke përgatitur sulm në Veri për vrasjen e serbëve”.

“Po përgatisin likuidimet e njerëzve tanë në veri” – tha Vuçiq dhe paralajmëroi që të mos e bëjnë këtë.

Vuçiq ka mohuar të ketë kërkuar ndihmë nga aleati i tyre, Rusia për ta sulmuar Kosovën.

“Ata (Kosova) nuk kanë me çfarë të mburren, kështu që shkojnë me trillime. Ata përmendin Rusinë, madje Zakharova tha se ne nuk kemi kërkuar ndihmë, çfarë po shpikni tjetër, ne kemi vendin tonë dhe Kushtetutën, të drejtën ndërkombëtare”, tha Vuçiq, raporton “Nova“.

Ai foli edhe për takimin e 18 gushtit që do të mbahet në Bruksel ku i pranishëm do të jetë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Vuçiq tha se Kosovës nuk i intereson se çfarë ka për të diskutuar Beogradi.

“Atyre nuk u intereson çfarë ka për të thënë Beogradi, kështu që unë as nuk e di se për çfarë është dialogu. Ata që thanë se duhet diskutuar për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe si dhe se duhet të jetë në përputhje me kushtetutën e Kosovës, më lejoni t’i pyes, a po bëjnë shaka? Çfarë kemi negociuar atëherë”, pyeti Vuçiq.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq në takim në Bruksel

Theksojmë se kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq do të takohen në Bruksel më 18 gusht, pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës si rezultat i vendosjes së masave të reciprocitetit nga qeveria kosovare.

Sipas një njoftimi nga Peter Stano, zëdhënës i Komisionit të BE-së, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Marrëdhëniet me Jashtë dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell, i ka ftuar dy liderët në Bruksel.

Siç u njoftua, Kurti dhe Vuçiq e kanë pranuar ftesën dhe do të takohen me Borrel-in.

Në takim do të jetë i pranishëm edhe Përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë, Miroslav Lajçak./Shqip.com