Lajme

Kurti kërkon nga bashkësia ndërkombëtare monitorimin e verifikimit të popullsisë në Luginë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare monitorim të verifikimit të popullatës në Luginë të Preshevës.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti tha se përpunimi i të dhënave në të cilën shqiptarët nuk kanë qasje është shumë i rëndësishëm.

“Jemi të vetëdijshëm që edhe përpunimi i të dhënave, proces në të cilin shqiptarët nuk do të kenë qasje, është shumë i rëndësishëm. Duke pasur parasysh deklaratat skandaloze të kreut të Serbisë se shifrat e paraqitura, ende pa përfunduar procesi, janë shifra të fryra nga shqiptarët, kërkojmë vëzhgim nga bashkësia ndërkombëtare”, tha Kurti.

Sipas Kurtit, deklaratat e presidentit serb Aleksandër Vuqiç dëshmojnë se regjistrimi i shqiptarëve në Luginën e Preshevës është moment historik.

“Këto deklarata dëshmojnë se pse procesi i regjistrimit të popullsisë e pasurive, për shqiptarët ka rëndësi historike e kombëtare”.

Kurti tha se që nga dita e parë kur filluan regjistrimet e popullsisë në Luginën e Preshevës ka kërkuar që të mos trajtohet vetëm si veprim i natyrshëm.

“Që në ditën e parë, si Kryeministër i Republikës së Kosovës bëra thirrje që regjistrimin e popullsisë mos ta trajtojmë vetëm si veprim i natyrshëm, por si veprim kombëtar e historik. Sepse shqiptarët në Serbi, e me theks të veçantë në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc nuk trajtohen në mënyrë të barabartë me qytetarët e tjerë”.

Sipas të parit të ekzekutivit, ne Serbi ky proces nuk është i natyrshëm për shqiptarët që jetojnë atje.

Kanë mbetur pak orë deri në mbylljen e procesit të regjistrimit të popullsisë në Serbi.

Por, komuniteti shqiptar atje ende nuk ka një përgjigje nga bashkësia ndërkombëtare, nëse do të bëhen pjesë e procesit për verifikim të popullatës shqiptare.

Këtë kërkesë e ka parashtruar kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Ragmi Mustafi, pas deklaratave të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, se nuk do të dihet numri i saktë i shqiptarëve.

S’dihet nëse bashkësia ndërkombëtare, do ta monitorojë verifikimin e popullatës në Luginë – SHQIP.com

“Sot kishim takim me ambasadorin e OSBE-së dhe komisarin e lartë për të drejtat e njeriut, kjo për shkak se ne e kemi ngritur këtë çështje dhe njëkohësisht kemi kërkuar që bashkësia ndërkombëtare ta monitoroj përfundimin e këtij procesi për shkak të dyshimeve që kanë hedhur në këtë proces. Aq më tepër pasi presidenti Vuçiq kishte deklaruar se nuk do të dalë numri i saktë i shqiptarëve edhe kësaj radhe”, ka thënë Mustafi në intervistë për Shqip.com

Për procesin e regjistrimit të popullatës në Serbi ka folur edhe zëri i vetëm shqiptar në Kuvendin serb, Shaip Kamberi.

Lexo edhe:

Intervistë me Shaip Kamberin: Lugina do t’i ketë 100 mijë shqiptarë

Kamberi ka thënë në intervistë për Shqip.com se për mospolitizim të procesit në këtë fazë nga presidenti serb, ka ndërhyrë OSBE-ja.

/Shqip.com