Lajme

Kurti ia shpjegon një delegacionit të Parlamentit Evropian aksionin kundër kontrabandës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti takim me eurodeputetët

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me zëvendësin e tij, Besnik Bislimi – kanë pritur një delegacion nga Parlamenti Evropianë të prirë nga euro-deputetja, Viola von Cramon.

Delegacioni evropian ka ardhur në Kosovë për t’u interesuar rreth aksionit të së mërkurës nga Policia e Kosovës – ku pjesë e operacionit ishte edhe Veriu i Mitrovicës.

Kurti iu tha euro-deputetëve se “aksioni ishte kundër kontrabandës dhe kriminalitetit”.

Po ashtu, kreu i ekzekutivit kosovar theksoi se aksioni ka përfshirë 26 lokacione të ndryshme.

Aksioni në Veriun e Kosovës

“Ky ishte një operacion normal i Policisë, e cila ka kryer punën në mënyrë profesionale dhe sipas procedurave ligjore”, është shprehur Kurti.

Kryeministri ka folur edhe për dialogun Kosovë – Serbi në Bruksel.

“Në dialog në Bruksel jemi për një kapitull të ri të normalizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve tona, ku zgjidhim çështjet e pazgjidhura me njohje reciproke”, ka thënë ai para Viola von Cramon-it.

Lexo edhe:
Nga mesi i vitit të ardhshëm në tërë Kosovën pritet të shtrihen terminalet doganore shtetërore

Raportuesja për Kosovën në Bashkimin Evropian i kishte reaguar të mërkurën Shefit të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell – i cili e kritikoi Kosovën për ndërhyrjen në veri.

“Institucionet shtetërore që kryejnë punën e tyre meritojnë respektin tonë të plotë. Dialogu i ndihmuar nga BE-ja nuk ka të bëjë me operacionet ditore të Policisë”, ka shkruar Von Cramon në Twitter të mërkurën.

Për deklaratën e Borrellit ka reaguar edhe ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, sipas të cilit, BE-ja po e tregon edhe një herë “paaftësinë” e saj në lidhje me Kosovën.

“Përsëri BE-ja tregoi paaftësinë e saj në lidhje me Kosovën. Borrell de facto, duke i kërkuar policisë të mos dalë kundër kontrabandistëve, nëse do të kishte marrë mundimin të njihej me realitetin në veri të Kosovës, do të kishte ditur se veriu drejtohet nga banda kriminale dhe nuk është kurrë herët për të dalë kundër tyre. Pra, edhe nëse është reagimi i dhunës, ai duhet ta lavdërojë atë”, ka shkruar ish-ambasadori në Facebook./SHQIP.com