Lajme

Nga kapja e të ‘fortëve’ të Niklës, te kundërshtarët e Ervis Martinajt, “Visit të Pojës” iu gjetën në banesë 3 mln euro, detaje nga megaoperacioni i SPAK

Të tjera detaje dalin në dritë në lidhje me aksionin me urdhër të SPAK, i cili lëshoi një ditë më parë 50 urdhërarreste për kapjen e disa personave, emrat e të cilëve janë të përfshirë në botën e krimit pas zbërthimit të bisedave në aplikacionin Sky ECC.

Në megaoperacionin që nisi dje, që po vijon dhe sot, mes të akuzuarve për vepra të ndryshme panele janë dhe efektivë policie. Kontrollet, në kuadër të dosjes “Metamorfoza3”, u shtrinë në disa qytete dhe zona si, Tiranë, Vlorë, Lezhë, Fushë-Krujë, Nikël, Kurbin etj.

Në kërkim është Rigert Mitri, që ka mbajtur postin e drejtorit të policisë së Lezhës. Është firmosur urdhër dhe për Klodian Shahinin, që ka qenë efektiv në Lezhë dhe ish-oficeri i RENEA-s Altin Morina, ai rezulton në komunikim me kontigjentë kriminalë. Në Nikël janë shpallur në kërkim të ‘fortët’, mes tyre Durim Bami. Ky i fundit akuzohet për krijim të kushteve për vrasjen e Marklen Hakës. Nga të dhënat e SPAK, rezulton se ka ndihmuar në atentatin ndaj Hakës, ku u vra hallë e tij. Më pas Haka i ka mbijetuar disa atentateve. Po ashtu në këtë krim akuzohet si i përfshirë dhe vëllai i Enver Stafukës, (I rrëmbyer dhe i zhdukur), Naim Stafuka, i cili u arrestua dje. Ndërkohë, janë arrestuar dhe disa furnitorë me armë dhe drogë të Niklës. Në këtë operacion ka pasur dhe persona të arrestuar jashtë, apo ata që veprojnë nga brenda burgjeve. Sa i takon qytetit të Tiranës, burime bëjnë me dije se janë lëshuar mbi 10 urdhër arreste nga GJKKO për krim të organizuar. Kontrollet janë shtrirë edhe në zonën e Freskut në banesat e vëllezërve Duka (Erlis dhe Leonard Duka), të njohur si armiqtë e Ervis Martinaj, ish-bosi i lojërave të fatit i cili konsiderohet i zhdukur që nga data 8 gusht e vitit 2022.

Në Larushk të Fushë-Krujës burime bëjnë me dije se është ushtruar kontroll në shtëpinë e Albert Zajës, i dënuar me 19 vite burg nga Apeli i GJKKO për vrasjen e Shkëlzen Kastratit. Kontrolle janë zhvilluar edhe në Vlorë në banesën e Fatmir Hysenit (Doca), i cili ka eliminuar kohë më parë Santiago Malkën, ish-efektiv policie dhe i njohur si krahu i besuar i Ervis Martinajt.

Ka pasur kontrolle për arrestimin e anëtarëve të fisit Avdulaj, ku janë lëshuar urdhër-arreste për Astrit dhe Aldo Avdylaj (Xhaxha dhe nip). Dyshohet se Astrit Avdulaj të jetë koka e grupit kriminal. Po ashtu raportohet se janë sekuestruar rreth 3 milionë euro cash në banesën e Ervis Doçit, i njohur ndyrshe si “Visit të Pojës”. Po ashtu është kërkuar dhe arrestimi i ish-deputetit Arben Ndoka, që akuzohet për një ngjarje në Shkodër. Ndërkohë, sot pritet një reagim zyrtar nga SPAK, ku do të jepen detaje rreth aksionit në fjalë.

Operacioni i SPAK, pjesë e ‘listës’ edhe Lulzim Berisha
Pjesë e listës së gjatë të urdhërarresteve të lëshuara dje nga GJKKO, janë dhe 3 persona të cilët janë në Spanjë. Mes tyre është Lulzim Berisha, i cili ra në pranga më 14 Dhjetor 2023, pas 3 vitesh arrati. Arrestimi i tij u finalizua si rezultat i shkëmbimit të informacioneve mes palës shqiptare dhe agjencisë FAST të Spanjës. I konsideruar si ish-kreu i Bandës së Durrësit, Lulzim Berisha ka një kalvar të gjatë procesesh gjyqësore me drejtësinë shqiptare. Konkretisht në 2012 ai u dënua me burg përjetë nga Gjykata e Durrësit për disa krime të rënda, dënim ky që u rrëzua në Korrik të 2014 nga Gjykata e Lartë. Kjo e fundit e dënoi atë përfundimisht me 25 vjet burg, por vetëm dy vite pas këtij dënimi ai u lirua nga burgu, konkretisht në Dhjetor të 2016.

4 vite pasi fitoi lirinë, ndaj Lulzim Berishës nis një tjetër proces penal, ku u shpall sërish në kërkim nga drejtësia. Për të SPAK ngre akuzën e pjesëmarrjes në vrasjen e Klodian Saliut, Vajdin Lames dhe mikut të tij Artan Arsi, ngjarje këto të ndodhura në vitin 2005. Sikur të mos mjaftonin këto, në vitin 2021, Gjykata e Lartë rrëzoi vendimin për lirimin e Lulzim Berishës në 2016 dhe kërkoi rikthimin e tij në burg. Kërkesë kjo e cila pritet të realizohet vetëm pas përmbylljes së procesit të ekstradimit të tij në Shqipëri.

/Shqip.com