Kurti fajësohet për mosftesën e Kosovës nga SHBA-ja në Samitin për Demokraci

Kosova ka mbetur jashtë listës me 100 shtete të cilat janë ftuar nga Shtëpia e Bardhë për të marrë pjesë në Samitin për Demokraci, që do të mbahet për herë të parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Bashkë me Kosovën, jashtë kanë mbetur edhe Serbia dhe Bosnja.
Ambasada Amerikane në Prishtinë ka dhënë arsyet se përse Kosova është lënë anash këtij samiti.
“Samiti për Demokraci i Presidentit është një nga shumë nismat amerikane e fokusuar në avancimin e demokracisë, luftimit të korrupsionit dhe promovimin e respektimit të të drejtave të njeriut anë e mbanë botës. Jo të gjithë partnerët mund të akomodohen në këtë nismë”, thuhet në njoftimin e ambasadës.

Mosftesa e Kosovës në këtë samit, ka ngjallur reagime të shumta. I pari që ka reaguar është analisti i çështjeve politike dhe aktivisti i shoqërisë civile, Agon Maliqi.
Sipas tij, ky është sinjal i keq për nivelin e marrëdhënieve të Kosovës me SHBA-në dhe se “duhet të lexohet si kambanë alarmi”.
“Mirëmëngjesi popull liridashës. Kjo është sipas një raporti të Politico harta e shteteve në Evropë të cilave SHBA u ka dërguar ftesë për pjesëmarrje në Samitin e Demokracive në dhjetor”.
“Mospërfshirja e Kosovës është sinjal shumë i keq për nivelin e marrëdhënieve dhe duhet të lexohet si kambanë alarmi”, ka shkruar Maliqi.

Për këtë çështje ka reaguar edhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie, Arben Gashi, në një postim në llogarinë e tij në Facebook, ka shkruar një shprehje, të cilën e ka lidhur me situatën.
“As në dekë, e as në drekë! (kur mungon ftesa për në SHBA)”, ka shkruar ai.

Reagim ka pasur edhe nga lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili fajin ia ka hedhur Qeverisë së Kosovës dhe kryeministrit Albin Kurti.
“Mos-ftesa e Kosovës në Samitin e Uashingtonit duhet të na shqetësojë të gjithëve pa dallim dhe të shërbejë si sinjal alarmi për shkallën e degradimit të raporteve me ShBA-të si rezultat i qeverisjes së Albin Kurtit”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Ka thënë se “aftësitë eksperimentale dhe manipuluese” të Kurtit në emër të Kosovës në raportet me ShBA-në, janë të papranueshme dhe nuk duhet të tolerohen nga askush.
“Ky degradim i raporteve strategjike me ShBA-të, duhet të marrë fund njëherë e përgjithmonë dhe Kosova ta rikthejë tashmë besimin e venitur”.
Më tej, i ka bërë thirrje kryeministrit që “sa më parë të lirohet nga politikat dhe veprimet për llogari të interesave të ngushta dhe agjendave e projeksioneve që synojnë zbehjen e rolit amerikan në Kosovë e rajon”.

Për situatën e krijuar ka reaguar edhe ish-kryenegociatorja për dialogun Kosovë-Serbi, Edita Tahiri, e cila ka thënë se “mbase tash besoj se Kurti do t’i dallojë më mirë ngjyrat!”.

Presidenti amerikan, Joe Biden, do të jetë nikoqir i këtij Samiti virtual më 9 dhe 10 dhjetor.
Pjesëmarrës do të jenë udhëheqës të qeverive, shoqërisë civile dhe sektorit privat, ku diskutimi do të fokusohet në sfidat dhe mundësitë me të cilat përballet demokracia dhe do të ofrojë një platformë ku udhëheqësit angazhohen, individualisht ose kolektivisht, për të mbrojtur demokracinë dhe të drejtat e njeriut./SHQIP.com