Lajme

Kurti: Emisari Lajçak ka qenë i njoftuar vazhdimisht për vendimin e fundit për targat dhe letërnjoftimet e Serbisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri, Albin Kurti, ka thënë se Emisari i BE-së, Miroslav Lajçak, ka qenë i njoftuar vazhdimisht për vendimin e fundit për targat dhe letërnjoftimet e Serbisë.

Ai po ashtu la një mundësi të hapur për një takim në Bruksel.

“Edhe Lajçak ka qenë vazhdimisht i njoftuar me veprimet tona. Unë e di qe ekziston një plan për takime edhe të kryenegociatorëve ndoshta edhe më shumë se aq, vetëm ta shohim se si dhe sa do të mund të përgatiten në Bruksel. Jemi të gatshëm dhe të interesuar për marrëveshje ligjërisht të obligueshme, të qëndrueshme dhe njohje reciproke në qendër. Por problemi mbase qëndron tek paralajmërimet nga Beogradi se ata mund te dalin nga dialogu. Mendoj se po bëjnë gabim dhe kjo mund ta ketë trembur pak dikë në Bruksel”, tha ai,

Përfaqësuesi Special i BE-së, Miroslav Lajcak, nga Beogradi, dje tha se vendimi i fundit i qeverisë së Kosovës për targat ia ka ndërruar “temat dhe planet” e vizitës së tij në Kosovë e Serbi.

“Ne patëm një bisedë serioze mbrëmë për situatën dhe natyrisht duhet të shikojmë për zgjidhje përmes dialogut dhe jo konfrontimit. Erdha në rajon për të përgatitur për takimin e ardhshëm të liderëve dhe për biseduar për progresin në normalizimin e marrëdhënieve, tani duhet ta zgjidhim situatën e krijuar. S’duhet të lejojmë të ketë krizë”, tha ai.

Lexo edhe:
Vuçiq: Prishtina ka marrë vendim për një stuhi të re, Kurti herë ëndërron që është Zelenski, herë ëndërron se është Hegeli,Prishtina po planifikon sulm në veri me 1 tetor

Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për targat, banorëve në veri të vendit u mundësohet që tabelat t’i kthejnë në RKS si dhe për letërnjoftimet e Serbisë.

Gjithashtu, sipas vendimit, automjetet me targa të regjistrimit të Serbisë që paraqiten për kalim të kufirit shtetëror dhe kanë për qëllim të lëvizin në territorin e Republikës së Kosovës, duhet të kenë të vendosur ngjitësin në pjesën e simboleve dhe emërtimit shtetëror, nga data 01.08.2022. Mekanizmi i tillë do të vlejë deri me 31.10.2022.

Theksojmë se më 20 shtator të vitit 2021, Qeveria e Kosovës, kishte vendosur masën e reciprocitetit për targat serbe, që nënkuptonte se me të hyrë në territorin e Kosovës, makinat me targa serbe, duhet të merrnin targa provuese.

Lexo edhe:
Kurti: Sot rregulluam kalimin e kufirit shtetëror për qytetarët me dokumente personale të lëshuara nga autoritetet e Serbisë, si dhe veturat me targa të regjistrimit të Serbisë

Ky reciprocitet më pas nxiti protesta dhe bllokada nga serbët lokalë, të cilët shtatorin e kaluar bllokuan rrugët që çonin në dy pikëkalimet kufitare që lidhin Kosovën dhe Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.

Më 30 shtator, me ndërmjetësimin e BE-së, Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje të përkohshme për targat.Më 21 prill kishte përfunduar marrëveshja e përkohshme e targave./Shqip.com