OP-ED Kolumne

Kur shteti dështon dhe kujdesi ndaj të moshuarve, kthehet në biznes

Leutrim Sahiti
Leutrim Sahiti

Sociolog

Publikuar:

Një prej vlerave më larta me të cilën jemi veçu nga popujt dhe kulturat tjera ka qenë pikërisht kujdesi ndaj prindërve dhe të moshuarve në përgjithësi.

Fatkeqësisht edhe këtë vlerë si shumë tjera i kemi humbë me vetëdije dhe kështu kemi hy në një krizë të  thellë të identitetit dhe funksionimit normal të shoqërisë.

Transformimi i familjes tradicionale shqiptare dhe shndërrimi i saj në familje bërthamë, dinamizmi dhe stili i ri i jetës i imponuar nga zhvillimi i globalizimit dhe teknologjisë, ikja masive e të rinjve nga Kosova ka bërë që të moshuarit tonë të mbesin pa përkujdesje dhe kështu ka lindur nevoja për ofrimin e shërbimeve sociale rezidenciale.

Shteti ynë duke mos pasur kapacitet për ofrimin e shërbimeve të tilla ka krijuar rrugën për privatizimin e këtyre shërbimeve sociale për të moshuarit.

Nga ana tjetër kërkesat e mëdha për shërbime të tilla kanë bërë që biznesmenë të ndryshëm të fillojnë të investojnë në ndërtimin e qendrave të tilla duke u liçencuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Tranfereve.

Kjo situatë fatkeqësisht u ka dhënë mundësi përfitimi investitorëve që siç po shihen punën që bëjnë nuk e kanë mision për t’i shërbyer vendit dhe të moshuarve por përfitimin e tyre ekonomik. Pra institucionet tona gjatë fazes së liçencimit do të duhej të merren shumë më shumë me shërbimet psiko-sociale dhe mënyren si ofrohen sesa me infrastrukturën e qendres.

Rasti i fundit i ushtrimit të dhunës nga infermierja ndaj të moshuares në qendrën private për të moshuar  në Pejë sikurse edhe rastet tjera të dhunës janë dëshmi e gjendjes së rëndë sociale në të cilën gjendemi si shoqëri dhe dështimit të aparatit shtetëror për t’u kujdesur për shëndetin psiko-social të shoqërisë. Kështu pra tek ne dhuna po vazhdon të jetë instrument për zgjidhjen e problemeve në familje dhe shoqëri.

Shpërfaqja e këtyre dukurive negative është dëshmi e dështimit të sistemit arsimor në vend për të edukuar fëmijët tonë, pra shkollave tona u mungon roli edukues dhe ato tani merren vetëm me pjesën arsimore por jo edhe edukative siç është dashur ta kënë.

Pra mungesa e programeve specifike në kurrikulat shkollore që do t’i edukonin fëmijët mbi jetën, moralin, pasojat e sjelljeve dhe dukurive negative sjell pasoja të tilla ku fëmijët shkelin normat shoqërore pa qenë të vetëdijshëm për pasojat që shkaktojnë apo bartin ato në të ardhmen tek ata dhe tek viktimat në fjalë.

Familja historikisht ka qenë faktori i parë dhe më i rëndësishmi i socializimit por tani në kohën e globalizimit, zhvillimit të teknologjisë, përdorimit masiv të rrjeteve sociale në tjerën anë si dhe tkurrja e saj në familje bërthamë (prindërit dhe fëmijët) familja e ka humbur fatkeqësisht rolin e saj primar të socializimit dhe ky është një shqetësim shumë i madh.

Kjo pasiqë familja dhe shkolla janë bërë të pafuqishme në rolin e tyre edukues në raport me ndikimin e rrjeteve sociale të cilat në masë të madhe po përcaktojnë sistemin e “vlerave” dhe sjelljeve të cilat bien ndesh me sistemin tonë vleror, normat shoqërore dhe kodin penal të Republikës së Kosovës.

Pra me një fjalë shteti nuk është duke investuar në edukimin e mirëfilltë të femijëve sikurse nuk është duke u marrë fare as me masat preventive për të reduktuar sjelljet dhe dukuritë negative tek fëmijët dhe të rinjtë tonë.

Madje Ministria e Punës dhe mirëqenies sociale tashmë ka mbetur nën hijen e Ministrisë së Financave pa ndonjë rol aktiv në eliminimin e dukurive negative, instalimin e politikave sociale të cilat do të ndikonin në ruajtjen e shëndetit psiko-social të shoqërisë dhe të rinjve në veçanti.

Sot, shoqëria ka humbur ekuilibrin e saj, normat shoqërore kanë filluar më të madhe të shkelen dhe dalëngadalë po rrëshqasim në një shoqëri të “sëmurë”.

Dëshmi për këtë janë rritja enorme e dukurive negative, duke përfshirë, vrasjet, vjedhjet, dhunën masive në familje, mashtrimet, incestet, dhunimet, përdorimi masiv i substancave narkotike nga të miturit, vetëvrasjet, sëmundjet mendore, prishjen e sistemit të vlerave e probleme tjera.

Gjendja në të cilën gjendemi si shoqëri nuk është fare e lehtë për të arritur rezultate në tejkalimin e saj.

Nder masat kryesore dhe urgjente që qeveria do të duhej të ndermerrte do të ishte ndarja e mirëqënies sociale nga ministria e financave në ministri të veçantë e cila do të merrej me trajtimin e sjelljeve dhe dukurive negative, marrjen e masave preventive përmes instalimit të rolit të sociologut në secilën shkollë që nga niveli i ciklit të ulët shkollor, fuqizimi i qendrave për punë sociale në komuna dhe punësimi i punëtorëve social dhe trajnimi i tyre në njerën anë,  dhe mos lejimi që në këto qendra të punësohen persona jo adekuat siç ndodhë tani me ekonomistë, juristë e profile tjera.

Një masë tjetër do të ishte edhe rritja e vigjilencës tek policia dhe prokuroria në menyrë që të mos tolerojnë rastet e tilla duke i liruar në procedurë të rregullt shkelësit e ligjit dhe devijantët por ata të jenë nën vëzhgim si dhe të ri-socializohen në qendra të ri-socializimit të cilat mungojnë në vendin tonë, ashpërsimi i dënimeve për shkelësit e rëndë të ligjit etj.

Shteti po ashtu duhet të instalojë mekanizma të kontrollit social duke krijuar kështu mundësi të zhvillimit të telenteve të të rinjve dhe fëmijëve tonë, duke u marrë me aktivitete sportive dhe rekreative e të cilat shërbejnë si mekanizma të kontrollit social duke i larguar ata nga sjelljet dhe dukuritë negative.

Në anën tjetër familja, prindërit duhet të kenë një rol më aktiv në edukimin e fëmijëve të tyre duke i mishëruar ata me vlerat dhe normat tona shoqërore dhe duke “kontrolluar” qasjen e tyre në rrjete sociale të cilat po shkelin rregullat dhe normat shoqërore dhe në shumë raste po manipulojnë me fëmijët e tyre.

Në fund për të mos u përseritur raste të tilla, Qeveria e Kosovës urgjent të merr vendim që të rrisë pensionet ndaj të moshuarve në njerën anë dhe në anën tjetër të përkrahë familjet që kujdesen për të moshuarit në menyrë që reduktojmë numrin e të moshuarve pa përkujdesje familjare sepse ngrohtësinë e familjes nuk mund ta kompensojë asnjë qender rezidenciale e kujdesit social.

*Qëndrimet e autorit nuk paraqesin domosdoshmërisht qëndrimet e redaksisë.

/Shqip.com