Lajme

Kryetari i mullisëve pas takimit me Hajdarin e Pecin: Do të ketë grurë të mjaftueshëm, mos të rriten çmimet

Kryetari i Shoqatës së Mullistëve, Bashkim Zejnullahu

Kryetari i Shoqatës së Mullistëve, Bashkim Zejnullahu u takua sot me ministren e Tregtisë, Rozeta Hajdari dhe ministrin e Bujqësisë, Faton Peci.

Pas takimit, në një konferencë për media bashkë me ministren Hajdari, Zejnullahu tha se sivjet do të ketë mjaftueshëm grurë.

“Sot në takimin me ministren Hajdari dhe ministrin Peci, diskutuam për situatën aktuale të korrje-shirjeve për sezonin e këtij viti. Ne si shoqatë jemi të angazhuar duke e vëzhguar situatën në terren dhe jemi kompetent, duke marrë parasysh situatën globale me furnizime esenciale, që të kemi një furnizim stabil me grurë dhe miell për tregun e brendshëm”, tha ai.

“Do të kemi furnizim të mjaftueshëm. Do të krijohen furnizime sipas nevojës edhe nga tregje të jashtme që ne të kemi furnizim stabil”, shtoi Zejnullahu.

Furrë buke

Ai tha se janë “kundër abuzimit me çmime”.

“Të mos shfrytëzojmë situatën aktuale dhe t’i ngrisim çmimet pa nevojë”, tha Zejnullahu.

Ai tha se çmimet duhet të bien gjatë këtij viti.

Për këtë çështje, kryeinspektorja e Tregut të Kosovës, Lebibe Haliti ka thënë për Shqip.com se inspektorati në vazhdimësi është duke zhvilluar aksione në furra të ndryshme të vendit.

Ajo tha se deri tani janë zhvilluar aksione në Pejë dhe Gjilan e së fundmi edhe në Prizren.

Lexo edhe:
Çmimi i bukës shkon në 60 cent, furrat gjobiten deri në 15 mijë euro

Haliti shtoi se gjobat sillen nga 1 mijë euro deri në 15 mijë euro në rast se del që furra ka mashtruar konsumatorin.

Sipas të dhënave nga Ministria e Bujqësisë, nga korrje-shirjet rendimenti pritet të jetë brenda mesatares prej 3.400 deri 4.500 kilogram për hektar.

Bazuar në sipërfaqen e mbjellë dhe rendimentin aktual, pritet të plotësohet rreth 70 për qind e kërkesës për grurë.

Lexo edhe:
Bujqit ankohen për rendimentin e grurit, synohet plotësimi i 70-të për qind të kërkesës

Në vitin 2019 dhe 2020 është mbjellë më së paku grurë në dhjetë vjetët e fundit për shkak të pandemisë.

Rrija e subvencionimit nga Qeveria për grurin dhe kulturat e tjera, nuk ka ndikuar në rritjen e sipërfaqes së mbjellë me grurë pasi gruri veçse ka qenë i mbjellë.

Rezultatet e këtij subvencionimi pritet të japin efekt në vjeshtën e vitit 2022./Shqip.com