Lajme

Çmimi i bukës shkon në 60 cent, furrat gjobiten deri në 15 mijë euro

Furrë buke

Një bukë mbi 500 gramëshe me çmim 60 cent mund t’i kushtojë 15 mijë euro gjobë një furre buke në rast se ka mashtruar konsumatorin.

Ditëve të fundit, në disa furra të Gjilanit e Prizrenit çmimi i një buke që peshon mbi 500 gramë, është rritur në 60 centë.

Kryeinspektorja e Tregut të Kosovës, Lebibe Haliti ka thënë për Shqip.com se inspektorati në vazhdimësi është duke zhvilluar aksione në furra të ndryshme të vendit.

“Çdo ditë janë në teren dhe janë duke i verifikuar edhe peshën edhe deklarimin edhe çmimet. Janë shqiptu disa gjoba në rastet kur nuk e ka pas çmimin dhe peshën. Zakonisht peshën e deklarojnë 500 gram e në realitet nuk del ashtu” – tha ajo.

Deri tani, siç thotë Haliti, aksione janë zhvilluar në Pejë dhe Gjilan e së fundmi edhe në Prizren.

 U.d kryeinspektore e Tregut në MINT, Lebibe Haliti

Ajo thotë se gjoba sillet nga 1 mijë euro deri në 15 mijë euro në rast se del që furra ka mashtruar konsumatorin.

“Në rastet kur biznesi është individual atëherë mund të gjobitet deri në 1 mijë euro e në rast se është Shoqëri me Përgjegjësi të Kufizuar (Sh.P.K) atëherë shkojmë përmes gjykatës e cila mund të marr vendim që gjoba të shkojë mbi 1 mijë euro”, u shpreh kryeinspektorja e Tregut të Kosovës.

Bazuar në të dhënat e Ministrisë së Bujqësisë nga korrje-shirjet, rendimenti pritet të jetë brenda mesatares prej 3.400 deri 4.500 kilogram për hektar.

Bazuar në sipërfaqen e mbjellë dhe rendimentin aktual, pritet të plotësohet rreth 70 për qind e kërkesës për grurë.

Lexo edhe:
Bujqit ankohen për rendimentin e grurit, synohet plotësimi i 70-të për qind të kërkesës

Në vitin 2019 dhe 2020 është mbjellë më së paku grurë në dhjetë vjetët e fundit për shkak të pandemisë.

Rrija e subvencionimit nga Qeveria për grurin dhe kulturat e tjera, nuk ka ndikuar në rritjen e sipërfaqes së mbjellë me grurë pasi gruri veçse ka qenë i mbjellë.

Rezultatet e këtij subvencionimi pritet të japin efekt në vjeshtën e vitit 2022.

Si rezultat, Kosova mbetet vend importues i këtij produkti, pjesën dërrmuese të së cilit e siguron nga Serbia.

Në anën tjetër, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari bashkë me Shoqatën e Mullisëve të Kosovës kanë paralajmëruar për sot konferencë për media.

Kosova është përballur me rritje çmimesh të produkteve dhe shërbimeve nga fundi i vitit të kaluar, kryesisht për shkak të çrregullimeve në furnizime që ka shkaktuar pandemia e koronavirusit.

Hov më të madh atyre u ka dhënë pushtimi rus i Ukrainës, i cili ka nisur në fund të shkurtit./Shqip.com