Lajme

Kryetari i Leposaviqit: Vendimi për targat mund të sjellë destabilizim

Kryetari i Komunës së Leposaviqit, Zoran Todiç

Kryetari i Komunës së Leposaviqit, Zoran Todiç ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet ta pranojë realitetin që serbët nuk do të pranojnë ri-regjistrimin e makinave.

Siç ka njoftuar Kosovoonline, Todiç tha se këto vendime mund të shpien në destabilizim dhe tensione të reja në veri të Kosovës.

“Zotërinjtë në Prishtinë duhet ta kuptojnë realitetin në terren, që është se populli serb nuk do ta pranojë këtë vendim dhe nuk do të pajtohet me vendimin mbi ri-regjistrimin, sepse e perceptojnë veten si banorë të RS-së, të cilin e kanë treguar në të kaluarën. Vendime të paarsyeshme të autoriteteve në Prishtinë që mund të shpien në destabilizim dhe tensione të reja në veri të Kosovës”, tha Todiç.

Todiç tha se masat e gjobat e Qeverisë së Kosovës nuk do të lëkundin qëndrimin e serbëve local në Kosovë.

“Ajo që mund të dëgjojmë në bisedë me banorët e komunave tona, kryesisht në Leposaviç, njerëzit nuk pranojnë dhe nuk do t’i përgjigjen ftesës për të regjistruar makinat e tyre dhe unë besoj se nuk ka një forcë të tillë dhe këto masa dhe gjoba që mund të lëkundin pozitën e qartë të popullit serb, askush nuk do të heqë dorë nga diçka që është dukshëm më e vlefshme se ajo që ofron Prishtina, sepse me këto targa ne mund të udhëtojmë kudo në planetin tokë”.

Todiç u kërkoi banorëve të ruajnë paqen dhe të mos bien pre që sipas tyre janë provokime.

“Ne u bëjmë thirrje banorëve tanë të qëndrojnë të qetë, të përmbajtur, të mos lejojnë veten të provokohen nga anëtarë të Shërbimit Policor të Kosovës dhe shërbime të tjera sigurie që janë të pranishëm këtu në komunën tonë dhe unë besoj se njerëzit e kuptojnë seriozitetin e situatës dhe mendoj se në këtë moment çdo tension shtesë, por me autoritetet nga Prishtina nuk jeni kurrë të qartë”.

Ndërsa, kryetari i Mitrovicës veriore, Milan Radojeviç tha se tensione nga ana e serbëve nuk do të ketë deri në gjobën e parë për targat.

Kryetari i Mitrovicës veriore: Nga ne nuk do të ketë incidente deri në gjobën e parë – SHQIP.com

Ai shtoi se shtetasit janë të vendosur të mos bëjnë asnjë ndryshim kur vjen puna te targat.

Radojeviç ka thënë se shpreson që ndërkombëtarët do të bëjnë presion mbi Qeverinë e Kosovës në mënyrë që të parandalohen presionet.

1 nëntori shënon ditën kur fillon qortimi nga Policia e Kosovës për pronarët e automjeteve me targa ilegale.

Ka filluar masa e qortimit për targat ilegale – SHQIP.com

Kjo masë do të vazhdojë deri me 21 nëntor që pastaj të fillohet me shqiptimin e gjobave.

Dje, Policia e Kosovës ka njoftuar se janë bërë të gjitha përgatitjet për këtë proces ndërsa kanë prezantuar edhe fletëqortimin.

Policia tregon formën e fletëqortimit për targat ilegale – SHQIP.com

Vlen të theksohet se masa e gjobitjes e paraparë pas asaj të qortimit do të vlejë deri me 21 janar.

Qeveria e Kosovës ka njoftuar se pas 21 janarit do të bëhen targa testuese dhe regjistrimi i automjeteve me targa RKS do të jetë më i lehtë deri me 31 mars – Pas kësaj date mund të bëhet regjistrimi por pa lehtësime.

Kurse, 21 prilli shënon datën përfundimtare kur që lejon qarkullimin e targave ilegale të lëshuara nga autoritetet e Serbisë në territorin e Kosovës.

Gjatë mbrëmjes së djeshme, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar sërish shtyrje të plotë të afatit për regjistrimin e automjeteve me targa ilegale dhe jo shtyrje të pjesshme.

Përmes një  konference për media, zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price, ka thënë se këtë kërkesë ja kanë bërë të qarte autoriteteve në Kosovë, publikisht dhe privatisht.

SHBA kërkon shtyrje të plotë të afatit për targat – SHQIP.com

ShBA edhe para se të merret vendimi i ri për targat, kanë kërkuar shtyrje për dhjetë muaj të afatit për ndërrimin e targave. Por janë shprehur të zhgënjyer pas refuzimit të kërkesës së tyre nga Qeveria e Kosovës.

Të njëjtën linjë me ShBA-të ka qëndruar edhe Bashkimi Evropian. Ata konsiderojnë që kërkesa e Kosovës për ndërrimin e targave ilegale është legjitime por kjo duhet të bëhet brenda një periudhe 12 mujore kështu, duke e cilësuar në kundërshtim me marrëveshjet e arritura në Bruksel.

/Shqip.com