Lajme

Policia tregon formën e fletëqortimit për targat ilegale

Policia e Kosovës / Foto: Visar Loku

Policia e Kosovë ka bërë të ditur formën e fletëqortimit për targat ilegale në veri të vendit.

Sipas vendimit zyrtar nga data një nëntor 2022, të gjithë pronarëve të mjeteve që qarkullojnë me targa të tilla ilegale në Kosovë, nga Policia e Kosovës do t’iu shqiptohet masa e qortimit.

Po ashtu nga Policia e Kosovës thonë se janë bërë gati të gjitha përgatitjet që të fillojë zbatimi i vendimit të Qeverisë së Kosovës.

Lexo edhe:
Nesër fillon numërimi mbrapsht për targat

“Policia e Kosovës, referuar vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës të datës 28.10.2022 me Nr. 05/103, i cili ka të bëjë me procesin e regjistrimit të mjeteve nga targa PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA” në targa RKS, ka bërë të gjitha planifikimet e saja me qëllim të zbatimit të këtij vendimi”.

Nga dita e nesërme fillojnë masat e paraparë nga Qeveria për pronaret e automjeteve me targa ilegale në Kosovë.

Fleta e Qortimit nga Policia e Kosovës

Nga 1 nëntori deri me 21 parashihet të bëhen vërejtje (qortime) ndaj këtyre shoferëve, ndërsa pas kësaj periudhe do të vazhdojë masa e gjobitjes.

Masa e gjobitjes do të vazhdojë deri me 21 janar të vitit që vjen. Kurse pas 21 janarit do të ketë targa provuese për dy muaj.

Sipas kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, pas datës 21 prill nuk do të lejohet qarkullimi i automjeteve me targa të lëshuara nga autoritetet serbe të cilat konsiderohen ilegale në Kosovë.

Vlen të theksohet se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar pezullimin e vendimit për dhjetë muaj por Kurti ka refuzuar këtë kërkesë. Në të njëjtën linjë me ShBA-të ka qëndruar edhe Bashkimi Evropian.

/Shqip.com