Lajme

Kryeministri i Kroacisë: Asnjë shtet nuk e ka aneksuar Kosovën

Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq ka folur lidhur me marrëdhëniet e shtetit të tij me Serbinë e  kështu duke përmendur edhe Kosovën.

Në një konferencë për media, Milanoviq ka thënë që së bashku me komunitetin ndërkombëtar kanë aneksuar Kosovën nga Serbia.

Lexo edhe:
Milanoviq: Ne me ndërkombëtarët e aneksuam Kosovën nga Serbia

“Deri kur do ta kuptoni se Serbia dhe Rusia janë njësoj? Ky është fatkeqësisht një fakt i dhimbshëm dhe një rrezik. Ne e aneksuam Kosovën. Ne dhe komuniteti ndërkombëtar. Ajo u aneksua nga Serbia. Kush e bëri këtë pos nesh? A e njohëm ne Kosovën? Nuk është aneksim, por rrëmbim. Kjo nuk e vë në dyshim Kosovën, por i gjithë koncepti,” tha Milanoviq.

Lidhur më këtë deklaratë ka ardhur edhe reagimi nga ana e kryeministrit të Kroacisë, Andrej Plenkoviq.

Ai ka thënë se asnjë shtet nuk e ka aneksuar Kosovën.

“Asnjë shtet nuk e ka aneksuar Kosovën. Kosova është shtet i pavarur, i pavarur i njohur nga Kroacia. Askush nuk e ka aneksuar Kosovën. Po ta kishte aneksuar dikush, do ta aneksonte në një shtet tjetër. Është e rëndësishme që Kosova të jetë e pavarur, që ne të kemi marrëdhëniet diplomatike me ta”, ka deklaruar kryeministri i Kroacisë, raporton Vecernji.

Deputetja e shqiptarëve në parlamentin e Kroacisë, Ermina Lekaj Përlaskaj, ka reaguar ndaj deklaratës së presidentit të këtij vendi, Zoran Milanoviqit se “Kosova i është vjedhur Serbisë”, duke theksuar se themelet për pavarësinë e Kosovës janë të njëjtat që çuan në pavarësinë e Kroacisë.

Lexo edhe:
Deputetja shqiptare i reagon Milanoviq-it: Kroacia dhe Kosova u pavarësuan sipas të njëjtit model

Sipas saj, shtetësia e Kosovës s’mund të sfidohet sepse u bë e pavarur sipas të njëjtit model si Kroacia.

Deputetja e shqiptarëve në parlamentin e Kroacisë shtoi se sfidimi i shtetësisë së Kosovës do të ishte njësoj si sfidimi ndaj Greqisë apo Bullgarisë moderne.

/Shqip.com