Lajme

Deputetja shqiptare i reagon Milanoviq-it: Kroacia dhe Kosova u pavarësuan sipas të njëjtit model

Deputetja e shqiptarëve në parlamentin e Kroacisë, Ermina Lekaj Përlaskaj, ka reaguar ndaj deklaratës së presidentit të këtij vendi, Zoran Milanoviqit se “Kosova i është vjedhur Serbisë”, duke theksuar se themelet për pavarësinë e Kosovës janë të njëjtat që çuan në pavarësinë e Kroacisë.

Sipas saj, shtetësia e Kosovës s’mund të sfidohet sepse u bë e pavarur sipas të njëjtit model si Kroacia.

“Republika e Kosovës u krijua në procesin e shpërbërjes së RSFJ-së, njësoj si Republika e Kroacisë”, tha Përlaskaj, duke theksuar se sipas Kushtetutës së RSFJ-së të vitit 1974, krahina e Kosovës nuk ishte vetëm një pjesë e Serbisë por edhe element përbërës i federatës. Derisa ato të drejta bashkë me autonominë, u hoqën me dhunë Kosovës nën presionin e Sllobodan Millosheviqit.

“Kosova vetëqeverisëse u degradua në njësi administrative në të cilën u zbatua një regjim policor dhe persekutim masiv i popullatës shumicë shqiptare. E gjithë kjo, për shkak të rrezikut të një fatkeqësie të afërt dhe shkeljes së dispozitave të së drejtës ndërkombëtare humanitare, çoi në një ndërhyrje humanitare, e cila është e njohur në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe pikërisht në zonën e Evropës Juglindore”, tha ajo.

Deputetja e shqiptarëve në parlamentin e Kroacisë shtoi se sfidimi i shtetësisë së Kosovës do të ishte njësoj si sfidimi ndaj Greqisë apo Bullgarisë moderne.

“Ashtu siç Kushtetuta e RSFJ-së e vitit 1974 dhe aktet e tjera juridike dhe vendimmarrja demokratike e qytetarëve ishin bazë juridike dhe faktike për pavarësinë e Republikës së Kroacisë, i njëjti model u zbatua edhe në rastin e pavarësisë së Republikës së Kroacisë. Republika e Kosovës”, ka përfunduar ajo.

Deklarata e Ermina Lekaj Përlaskaj, vjen pak kohë nga deklarata e presidetit të Kroacisë, Zoran Milanoviq.

Lexo edhe:
Milanoviq: Ne me ndërkombëtarët e aneksuam Kosovën nga Serbia

Në një konferencë për media, Milanoviq ka thënë që së bashku me komunitetin ndërkombëtar kanë aneksuar Kosovën nga Serbia.

/Shqip.com