Lajme

Krasniqi: Kurti i theu premtimet në vilën e kasapit të shqiptarëve, Titos

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi
Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pranuar Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Në fjalën e tij në Kuvend, Krasniqi tha se Kurti e bëri atë që kishte thënë që nuk do ta bënte asnjëherë dhe për ironi të fatit në vilën e Titos.

“Loja me fjalë e ka afatin e skadimit, loja skadon atëherë kur duhet me marrë veprime. Kryeministri i ka marrë mbi vete, e për ironi të fatit të Kosovës në villen e kasapit të shqiptareve, Titos e ka pranu krejt ato që ka premtuar që nuk do t’i pranojë kurrë. Kapërcimin më të madh në politikën shqiptarë e ka bërë Albin Kurti kur ka kalu në Vetëvendosje për Serbët e Kosovës”, tha Krasniqi.

Sipas Krasniqit, Kurti ka tradhtuar votuesit e tij.

“Kurti ka bërë tradhti ndaj votuesve dhe ndjekësve të vetë, ndaj militantëve të vetë sepse iu ka premtuar që nuk do të ketë Asociacion, por sot jo vetëm Asociacion, por ka rrezikuar që të iu jep autonomi politike serbëve të Kosovës”.

Ndërsa, Krasniqi thotë se për fajin e Kurtit i cili ka shkaktuar krizë pas krize, vëmendja e aleatëve ndërkombëtar është fokusuar vetëm në shuarje të konfliktit dhe jo në zgjedhje të plotë të problemeve në mes Kosovës dhe Serbisë.

Albin Kurti, kryeministri i Kosovës, në raportimin e tij para deputetëve në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se që nga 9 shtatori kur është prezantuar drafti fillestar i propozimit franko-gjerman është hyrë në format të ri të dialogut Kosovë-Serbi.

Kryeministri Kurti tha se aleatët ndërkombëtarë kanë vendosur kornizë strikte ndaj të dyja vendeve në mënyrë që siç tha ai, të arrihet një siguri kolektive dhe paqe në Ballkanin Perëndimor.

Kujtojmë se Bashkimi Evropian ka bërë publik planin e për zbatimin e marrëveshjes së arritur.

Në shtojcën e publikuar thuhet se Kosova dhe Serbia angazhohen plotësisht të respektojnë të gjitha Nenet e Marrëveshjes dhe këtë Aneks, dhe të zbatojnë të gjitha detyrimet e tyre përkatëse që rrjedhin nga Marrëveshja dhe Aneksi, në mënyrë të përshtatshme dhe në mirëbesim.

“Palët kanë parasysh se Marrëveshja dhe Aneksi i Zbatimit, do të bëhen pjesë integrale e proceseve përkatëse të anëtarësimit të Kosovës dhe Serbisë në BE. Pas miratimit të Marrëveshjes dhe kësaj Shtojce, Lehtësuesi i BE-së do të fillojë procesin për të ndryshuar Kapitullin 35 për Serbinë për të pasqyruar detyrimet e reja të Serbisë që rrjedhin nga Marrëveshja dhe kjo Aneks. Agjenda e Grupit Special të Kosovës për Normalizim do të pasqyrojë në mënyrë të barabartë obligimet e reja të Kosovës që rrjedhin nga Marrëveshja dhe ky Aneks”, thuhet në dokumentin e publikuar.

Palët bien dakord që në mënyrë urgjente të miratojnë Deklaratën për Personat e Zhdukur, siç është negociuar në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

“Për të zbatuar nenin 7, Kosova fillon menjëherë negociatat në kuadër të Dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për vendosjen e aranzhimeve dhe garancive specifike për të siguruar një nivel të duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, në përputhje me marrëveshjet e mëparshme përkatëse të Dialogut siç përcaktohet nga Lehtësuesi i BE-së”.

Palët bien dakord të krijojnë një Komitet të Përbashkët Monitorues, të kryesuar nga BE-ja, brenda 30 ditëve. Zbatimi i të gjitha dispozitave do të sigurohet dhe mbikëqyret nga Komiteti i Përbashkët i Monitorimit.

Për të zbatuar nenin 9, BE-ja do të organizojë një konferencë donatorësh brenda 150 ditëve për të krijuar një paketë investimi dhe ndihme financiare për Kosovën dhe Serbinë. 

Asnjë disbursim nuk do të ndodhë përpara se BE-ja të përcaktojë se të gjitha dispozitat e Marrëveshjes janë zbatuar plotësisht.

Kosova dhe Serbia pajtohen që të gjitha nenet do të zbatohen në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri.

Rendi i paragrafëve të kësaj shtojce nuk cenon rendin e zbatimit të tyre.

Kosova dhe Serbia pajtohen të mos bllokojnë zbatimin e asnjë prej neneve.

Të gjitha diskutimet në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes do të zhvillohen në kuadër të Dialogut të ndërmjetësuar nga BE.

Kosova dhe Serbia pranojnë se çdo mosrespektim i detyrimeve të tyre nga Marrëveshja, Aneksi ose Marrëveshjet e Dialogut të kaluar, mund të kenë pasoja të drejtpërdrejta negative për proceset e tyre përkatëse të anëtarësimit në BE dhe ndihmën financiare që marrin nga BE-ja.

/Shqip.com