Lajme

Krasniqi kritikon Kurtin: Kosova po shkon në drejtim të “Zajednicës”

Memli Krasniqi, kryetari i PDK-së

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se me legjitimitetin e “targave të Zajednicës Kosova po shkon drejtë Zajednicës”.

Këto komente ai i ka bërë të premten në T7, teksa kritikoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, për marrëveshjen e Brukselit e arritur në Bruksel ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

“Skandal është legjitimimi që ua bën Qeveria Serbisë për qytetet e Republikës së Kosovës. Kjo, për mendimin tim është legjitimim i tabelave të Zajednicës. Ky rrezikon të jetë hapi i parë për instalimin e Asociacionit me kompetenca ekzekutive”.

Lexo edhe:
Konjufca: Reciprociteti duhet të përfshi çdo dimension

“Pasojë absolute është fakti që targat për qytete të Republikës së Kosovës që lëshohen nga Serbia tashmë janë legjitimuar. Kjo qeveri po legjitimon një sistem juridik tjetër në veri dhe tjetër në pjesën tjetër”, ka pohuar Krasniqi.

Gjithashtu, Krasniqi theksoi se “Kurti është politikani më i vjetër në Kosovë” e nuk ka çka ndryshon.

Sipas tij, Kuritn  s’mund ta vlerësojmë jashtë kornizës ideologjike.

“Unë nuk e kam as detyrë e as qëllim me eduku Kurtin se ai i vogël nuk është dhe unë besoj që nuk ka shpresë me u rieduku ose me u ndryshu Kurti”. Tha Krasniqi.

Albin Kurti, Memli Krasniqi dhe Lumir Abdixhiku.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, bashkë me atë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikun – shkuan te zyrja e kryeministrit për të diskutuar rreth situatës në veri.

Ata i ofruan mbështetje, por i kërkuan që të koordinohet edhe me bashkësinë ndërkombëtare.

Situata në Veriun e Kosovës është e qetësuar dhe të shtunën pritet largimi i barrikadave si dhe zëvendësimi i Njësiteve Speciale të Kosovës me trupat e KFOR-it. /Shqip.com