Lajme

Konjufca: Reciprociteti duhet të përfshi çdo dimension

Kryeparlamentari, Glauk Konjufca

“Reciprociteti i Kosovës karshi Serbisë duhet të kompletohet në çdo dimension”.

Kështu ka thënë kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca, gjatë një interviste në “Java sonte me Rronin”.

“Ka qenë një aksion shumë i nevojshëm, ka pasur vetëm një qëllim, që praktika e lëvizjes së veturës prej Serbisë në Kosovë dhe veturat tona që shkojnë atje me qenë të njëjta, të barabarta dhe reciproke”.

“Kjo është një pjesë e rëndësishme e sovranitetit shtetëror, ku ti imponon masa reciproke ashtu siç vepron shteti tjetër. Reciprociteti duhet të kompletohet në çdo dimension, edhe në atë tregtar, edhe në atë se si vijnë mallrat, edhe në çdo aspekt tjetër”, ka thënë Konjufca.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, 20 shtator Kuvendi i Kosovës.

Targat dhe Reciprociteti

Marrëveshja për targat, e arritur të enjten mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, nuk e rrezikon në asnjë pikë reciprocitetin, ka deklaruar zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi.

Sipas tij, kjo marrëveshje ka lindur nga nevoja. Ndërsa, ka thënë se dallon nga të tjerat, sepse ato janë përcjell në “dinamikë të rregullt, por që ishin të dëmshme e të paimplementueshme”.

Ai ka dalluar marrëveshjen e re duke thënë se kjo mund të testohet shumë shpejt marrëveshja se sa mund të jetë valide.

“Reciprociteti s’rrezikohet në asnjë moment. Deri të hënën ne vazhdojmë me targat e përkohshme. Nga e hëna fillon kalimi nga ndryshimi i targave në vendosjen e afisheve që e mbulojnë elementin e shtetësisë”.

Lexo edhe:
Bislimi: Kosova nuk është tërhequr nga projekti i gazit, kemi kërkuar kohë

“Nesër grupi nga Ministria e Punëve të Brendshme do të ketë takime virtuale me zyrën e Z. Lajçak për ta detajuar operacionalizimin e kësaj mase, për të treguar se si do të duken stickersat, çka mbulohet saktësisht, a duhet të ketë kosto për implementimin, çfarë sanksionesh duhet të ketë në rast se hasen persona të cilët afishet e vendosura në kufi pastaj i kanë larguar nga veturat e tyre, pastaj do të diskutohen detajet e operacionalizimit”, ka thënë Bislimi në një intervistë për Kohën.

Kosova dhe Serbia të enjten në Bruksel kanë nënshkruar një marrëveshje, e cila do të hyjë në fuqi plotësisht me 4 tetor. Sipas kësaj marrëveshje, pronarët e veturave me targa të Kosovës dhe Serbisë nuk duhet të ndërrojnë targat me të përkohshme, por t’i mbulojnë simbolet shtetërore me një letër ngjitëse.

Marrëveshja e Brukselit për targat.

Sipas marrëveshjes, forcat e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës që janë vendosur në Jarinjë dhe Bërnjak për më shumë se 10 ditë, do të largohen, por njëkohësisht do të largohen edhe bllokadat e vendosura në rrugë.

Kjo tërheqje do të ndodhë të shtunën, më 2 tetor në orën 08:00 dhe do të përfundojë maksimalisht deri në orën 16:00.

KFOR-i do të vendoset në këto dy pika kufitare para se të nisë largimi i sinkronizuar dhe do të qëndrojë për dy javë për të mbajtur ambient të sigurt dhe lëvizje të lirë./SHQIP.com