Lajme

Krasniqi kërkon shtim të vëmendjes së BE-së ndaj Kosovës

Krasniqi në Bruksel.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka kërkuar shtim të vëmendjes së Bashkimit Evropian për Kosovën, përcjell Shqip.com.

Këto deklarata ai i ka bërë në ditën e dytë të vizitës në Bruksel, ku ka takuar drejtoren për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme për Fqinjësi dhe Negociata në Komisionin Evropian, Michela Matuella dhe shefin e njësisë për Kosovën, Vassilis Maragos.

Lexo edhe:
Krasniqi – Lajçakut: PDK mbështet vazhdimin e dialogut i cili duhet të përfundojë me njohjen e Kosovës

Sipas njoftimit të PDK-së, në këtë takim është diskutuar për procesin integrues të Kosovës krahas shteteve të tjera të Ballkanit Perëndimor si dhe thellimin e bashkëpunimit dhe koordinimit mes Kosovës dhe BE-së.

“Gjatë këtij takimi u diskutua për procesin integrues të Kosovës, krahas shteteve tjera të Ballkanit Perëndimor, thellimin e bashkëpunimit dhe koordinimit mes shtetit tonë dhe Bashkimit Europian, ngecjet në zbatimin e Marrëveshjes për Stabilizim Asocim dhe tema të tjera relevante”, njofton ndër tjerash PDK.

Po ashtu, Krasniqi është takuar edhe me eurodeputetin Ilhan Kyuchyuk, i cili është raportues për Kosovën në grupin Reneë Europe, brenda Parlamentit Evropian.

“Eurodeputetit Kyuchyuk i shpreha mirënjohje për angazhimin e tij të vazhdueshëm në rajon dhe për qasjen inkluzive për integrimin e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian.”, ka thënë Krasniqi.