Lajme Ballkan

Krasniqi – Lajçakut: PDK mbështet vazhdimin e dialogut i cili duhet të përfundojë me njohjen e Kosovës

Memli Krasniqi dhe Miroslav Lajçak.

“Partia Demokratike e Kosovës e mbështet vazhdimin e dialogut Kosovë – Serbi, i cili duhet të përfundojë me njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia”.

Kështu është deklaruar kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi në takim me Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, në Bruksel.

Memli Krasniqi dhe Marko Mavec.

“Emisarin Lajçak e falënderova për angazhimin e tij në këtë proces delikat dhe potencova se çfarëdo marrëveshje e mundshme mes Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, të mos e cenojë tërësinë territoriale, integritetin dhe sovranitetin e vendit”, tha Krasniqi.

Sipas njoftimit të PDK-së, Krasniqi është takuar edhe me zëvendësdrejtorin për Evropë në Shërbimin Evropian të Veprimit të Jashtëm, Marko Mavec, ku kanë diskutuar për nevojën e thellimit të bashkëpuni mit dhe koordinimit të Kosovës me BE-në. Po ashtu, i pari i PDK-së, në takim me zyrtarët e BE-së ka theksuar se rruga e integrimeve evropiane për Kosovën është synim i shtetit të Kosovës dhe qytetarëve të saj./SHQIP.com