Lajme

KPK kundërshton deklaratat e Haxhiut për Lumezin

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka reaguar pas deklaratave të ministres së Ministrisë së Drejtësisë, Albulena Haxhiut e cila ka thënë se krimet e luftës në Kosovë nuk janë trajtuar me vullnet nga prokuroria në krye me Aleksandër Lumezin.

Përmes një reagimi për media, KPK-ja ka thënë se kundërshton këto deklarata dhe sipas tyre nuk janë të vërteta.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës kundërshton deklaratën e Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, lidhur me, siç thotë ajo,  “mosvullnetin e as interesin për trajtimin serioz të krimeve të luftës nga sistemi prokurorial i Kosovës me në krye ish-kryeprokurorin Lumezi. Deklarata e Ministres Haxhiu nuk është e vërtetë, sepse Këshilli Prokurorial i Kosovës ka caktuar katër prokurorë në Departamentin për Krime të Luftës të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës. Për të mbështetur këtë departament, po ashtu, janë caktuar edhe gjashtë bashkëpunëtorë profesionalë dhe dy zyrtarë ligjorë”, thuhet në reagimin e KPK-së.

KPK ka treguar për veprimet që janë marrë në kuadër të trajtimit të krimeve të luftës në kohën sa Aleksander Lumezi ishte kryeprokuror.

“E pavërteta e thënë nga Ministrja Haxhiu është e dëshmuar lehtë, me marrjen e mandatit të ish-Kryeprokurorit Aleksandër Lumezi, janë marrë veprime konkrete si: janë lëshuar 72 urdhërarreste ndërkombëtare për arrestimin e të dyshuarve për krime lufte, janë ndërmarrë veprime konkrete hetimore në drejtim të zbulimit të kryesve të veprave penale dhe kundër urdhërdhënësve, janë ngritur dhjetëra aktakuza, është përgatitur baza e të dhënave në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës për rastet e krimeve të luftës dhe është harmonizuar kjo databazë me atë të Policisë së Kosovës. Me iniciativën e ish- Kryeprokurorit Lumezi është përgatitur dhe miratuar Strategjia për trajtimin e rasteve të krimeve të luftës. Këto dhe shumë veprime të tjera janë ndërmarrë, janë duke u ndërmarrë në baza ditore për hetimet e krimeve të luftës në Kosovë”.

Krahas kësaj, nga KPK-ja thonë se puna profesionale e Aleksandër Lumezit vlerësohet nga ata.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës vlerëson lartë angazhimin dhe gatishmërinë profesionale të ish-Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, në forcimin e Prokurorit të Shtetit si një institucioni i qëndrueshëm dhe i gatshëm për t’u ballafaquar me rastet me të rënda në Republikën e Kosovës, të cilat deri në vitin 2015 ishin në kompetencë të EULEX-it. Prandaj, çfarëdo tendencë për të mos njohur të arriturat institucionale nënkupton margjinalizim të të arriturave shtetërore”.

Lidhur më këtë deklaratë ka ardhur edhe reagimi nga ana e ish-kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezit.

Lexo edhe:
Lumezi i reagon Haxhiut: Janë lëshuar 72 urdhërarreste ndërkombëtare

“Për dijeninë tuaj si Ministre e Drejtësisë, ndjekja e kryesve të veprave penale të krimeve të luftës e as të veprave tjera penale nuk ndërmirret nga Kryeprokurori i Shtetit dhe as nga qeveritë, por nga prokurorët e shtetit të cilët kanë kompetencë ekskluzive ligjore për ndjekjen e këtyre veprave penale. Kush e kupton ndryshe këtë është në keqkuptim të madh me parimet e drejtësisë. Është e vërtetë se trajtimi i krimeve të luftës ka shkuar ngadalë, për këtë treguesi më i mirë është numri i vogël i lëndëve të kryera. Menjëherë pas ardhjes time në krye të institucionit të Prokurorit të Shtetit dhe si Kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës, duke e parë të arsyeshme trajtimin e rasteve të krimeve të luftës, më 13 maj 2015 për herë të parë është themeluar Departamenti për Krimet e Luftës në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, ku janë caktuar prokurorët dhe personeli administrativ. Janë dërguar prokurorët special në trajnime intensive nga kapitulli XV i Kodit Penal të Kosovës lidhur me veprat penale kundër njerëzimit dhe vlerave të mbrojtura më të drejtën ndërkombëtare. Është bërë regjistrimi i të gjitha rasteve që hyjnë në kuadër të Departamentit të Krimeve të Luftës. Janë lëshuar 72 urdhërarreste ndërkombëtare për arrestimin e të dyshuarve, të cilat akoma janë fuqi” ka thënë Lumezi.

Lexo edhe:
Haxhiu: Prokruroria në krye me Lumezin s’i trajtoi krimet serbe në Kosovë

Po ashtu Lumezi ka thënë se pas arrestimit të të dyshuarave, janë ngritur dhjetëra aktakuza dhe kemi pasur gjykime të suksesshme.

/Shqip.com