Lajme

Lumezi i reagon Haxhiut: Janë lëshuar 72 urdhërarreste ndërkombëtare

Gjatë ditës së sotme, Ministrja e Ministrisë së Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu ka thënë se Prokuroria e Kosovës në krye me Aleksandër Lumezin nuk ka pasur vullnet dhe as interesim që t’i trajtojë krimet e Serbisë ne Kosovë.

Haxhiu tha se mund të punohej shumë më tepër dhe mund të trajtoheshin më mirë.

Lidhur më këtë deklaratë ka ardhur edhe reagimi nga ana e ish-kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezit.

“Për dijeninë tuaj si Ministre e Drejtësisë, ndjekja e kryesve të veprave penale të krimeve të luftës e as të veprave tjera penale nuk ndërmirret nga Kryeprokurori i Shtetit dhe as nga qeveritë, por nga prokurorët e shtetit të cilët kanë kompetencë ekskluzive ligjore për ndjekjen e këtyre veprave penale. Kush e kupton ndryshe këtë është në keqkuptim të madh me parimet e drejtësisë. Është e vërtetë se trajtimi i krimeve të luftës ka shkuar ngadalë, për këtë treguesi më i mirë është numri i vogël i lëndëve të kryera. Menjëherë pas ardhjes time në krye të institucionit të Prokurorit të Shtetit dhe si Kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës, duke e parë të arsyeshme trajtimin e rasteve të krimeve të luftës, më 13 maj 2015 për herë të parë është themeluar Departamenti për Krimet e Luftës në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, ku janë caktuar prokurorët dhe personeli administrativ. Janë dërguar prokurorët special në trajnime intensive nga kapitulli XV i Kodit Penal të Kosovës lidhur me veprat penale kundër njerëzimit dhe vlerave të mbrojtura më të drejtën ndërkombëtare. Është bërë regjistrimi i të gjitha rasteve që hyjnë në kuadër të Departamentit të Krimeve të Luftës. Janë lëshuar 72 urdhërarreste ndërkombëtare për arrestimin e të dyshuarve, të cilat akoma janë fuqi” ka thënë Lumezi.

Lexo edhe:
Haxhiu: Prokruroria në krye me Lumezin s’i trajtoi krimet serbe në Kosovë

Po ashtu Lumezi ka thënë se pas arrestimit të të dyshuarave, janë ngritur dhjetëra aktakuza dhe kemi pasur gjykime të suksesshme.

“Gjatë vitit 2018 kemi transferuar nga EULEX-i 918 lëndë të krimeve të luftës të  natyrave të ndryshme dhe 2000 lëndë të personave të zhdukur. Në vitin 2019 kemi rritur numrin e prokurorëve në Departamentin e Krimeve të Luftës në Prokurorinë e Speciale të Republikës së Kosovës dhe po të njëjtin vit është nxjerrë Strategjia për trajtimin e rasteve të krimeve të luftës”.

Më tutje Lumezi thotë se kanë ngritur edhe bazën e të dhënave në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës për rastet e krimeve të luftës dhe e kanë harmonizuar këtë databazë me atë të Policisë së Kosovës.

Sipas Lumezit , deklarimet e Ministres se Drejtësisë, shpërfaqin mosnjohuri të plotë të veprimeve të ndërmarra nga institucionet e drejtësisë, përkatësisht, Prokurori i Shtetit, duke minimizuar të gjitha të arritura shtetërore dhe institucionale nga koha e marrjes se kompetencave nga EULEX-i tek institucionet vendore.

/Shqip.com