Lajme

Haxhiu: Prokruroria në krye me Lumezin s’i trajtoi krimet serbe në Kosovë

Ministrja e Ministrisë së Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu ka thënë se Prokuroria e Kosovës në krye me Aleksandër Lumezin nuk ka pasur vullnet dhe as interesim që t’i trajtojë krimet e Serbisë ne Kosovë.

Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu e quan lajm të mirë kërkesën për lëshimin e urdhërarrestit ndërkombëtar për kriminelet e Masakrës së Reçakut.

“Kërkesa për lëshimin e urdhërarrestit ndërkombëtar për kriminelët e Masakrës së Reçakut është lajm i mirë për drejtësinë dhe shtetin tonë sepse për herë të parë po shihen përpjekjet serioze për trajtimin e krimeve të luftës. Ky është një lajm që qytetarët dhe familjarët e të vrarëve e prisnin prej vitesh. Qeverisjet e kaluara sikurse edhe sistemi prokurorial në krye me ish kryeprokurorin Lumezi nuk kanë pasur as vullnetin e as interesin për trajtimin serioz të këtyre krimeve ndaj popullit tone”, shkroi Haxhiu.

Megjithatë, Haxhiu parashtron pyetje lidhur me këtë mostrajtim nga ana e sistemit prokurorial në Kosovë.

“A duhet të japin përgjegjësi për gjithë këtë mosveprim? A duhet të japin përgjegjësi KPK që ende edhe përkundër faktit që kemi shtuar buxhetin që më shumë se 16 muaj, nuk është plotësuar me prokurorë e bashkëpunëtorë, Departamenti për krime lufte në kuadër të PSRK? A ka përgjigje sistemi se pse nuk po zbatohen dispozitat për gjykimin në mungesë të kriminelëve të luftës edhe përkundër që kemi hequr pengesat?”.

Lidhur me krimet e luftës në Kosovë nga ana e Serbisë, Haxhiu tha se mund të punohej shumë më tepër dhe mund të trajtoheshin më mirë.

“Është tejet e rëndë që misionet e instaluara në Kosovë, UNMIK e EULEX sikurse edhe sistemi jonë i drejtësisë nuk kanë bërë sa duhet në drejtim të hetimit dhe gjykimit të shumë krimineleve të luftës me qëllim që të sjellim drejtësi për qindra masakra në Kosovë sikurse edhe për Masakrën e Reçakut të cilën e rikujtuam dje. Shumë më tepër do të mund të bëhej menjëherë pas luftës, sidomos pas shpalljes së pavarësisë, e në veçanti nga 2018 e këtej. Institucionet tona jo vetëm që janë themeluar nga gjaku i të rënëve dëshmorë edhe martirë, por e kanë obligim themeltar të sjellin drejtësi për secilin krim të kryer nga shteti i Serbisë”, tha Haxhiu.

Kujtojmë se dje është shënuar 24-vjetori i masakrës së Reçakut në të cilën u vranë mizorisht 25 civilë shqiptarë të pafajshëm.

/Shqip.com