Lajme

Kosnett falënderon Osmanin për ofrimin e mbështetjes lidhur me strehimin e refugjatëve afganë

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe ambasadori amerikan, Philip Kosnett

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett e ka falënderuar presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, për gatishmërinë e Kosovës që t’i strehojë përkohësisht refugjatët afganë.

Presidentja u takua me ambasadorin amerikan, të mërkurën, ka njoftuar presidenca.

Osmani theksoi se qytetarët e Kosovës, nisur nga përvoja e kaluar, mirëkuptojnë nevojën për strehim të sigurt për personat e rrezikuar nga konflikti i brendshëm në Afganistan.

Lexo edhe:
Presidentja e Kosovës i thotë PO SHBA-ve: I pranojmë refugjatët afganë

Ajo nënvizoi se Kosova do t’i qëndrojnë përkrah SHBA-ve dhe shteteve aleate duke dhënë kontributin e saj në paqen ndërkombëtare.

Po ashtu, Presidentja Osmani dhe ambasadori Kosnett diskutuan për thellimin e bashkëpunimit me institucionet e Kosovës në fushën e politikës së jashtme si dhe në realizimin e reformave në drejtësi dhe energjetikë.

Të mërkurën, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se do të strehohen rreth 2 mijë afganë. Pa treguar kur dhe sa do të rrinë.

Kjo situatë ka ardhur si rezultat i tensionimit të brendshëm në Afganistan, pasi talebanët morën pushtetin në Kabul.

SHBA ka kërkuar nga vendet e saj mike që të strehojnë bashkëpunëtorët e tyre në Afganistan derisa të përfundojë procedura e vizave. /Shqip.com