Lajme

Konjufca në takim me Buchanan: Mbështetja e SHBA-ve është qenësore për Kosovën

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca është takua me Kryetarin e Partneritetit për Demokraci të Dhomës së Përfaqësuesve (HDP), Vern Buchanan.

Sipas njoftimit të Kuvendit të Kosovës, Konjufca ka thënë se mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është qenësore për Kosovën.

“Në vazhdën e takimeve në SHBA, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, zhvilloi sot një takim të veçantë me Kryetarin e Partneritetit për Demokraci të Dhomës së Përfaqësuesve (HDP), Vern Buchanan. Në një bashkëbisedim të hapur e miqësor, u diskutua për zhvillimet politike në vend dhe rajon, integrimin e Kosovës në institucionet euroatlantike dhe organizata e mekanizma ndërkombëtarë, si dhe për avancimin e bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

Konjufca dhe Buchanan vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe. 

“Kryetari i Kuvendit, Konjufca dhe kryetari i HDP-së, Buchanan, vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe, vazhdimësinë e miqësisë së përhershme, partneritetin e palëkundur dhe aleancën strategjike mes shteteve dhe popujve tanë. Ata po ashtu ndanë pikëpamje të njëjta se, sikur deri më tani, mbështetja e Shteteve të Bashkuara është qenësore për proceset e rëndësishme nëpër të cilat po kalon Republika e Kosovës”.

Tutje, thuhet se në takim morën pjesë edhe nënkryetari i Kuvendit, Enver Hoxhaj, ambasadori i Kosovës në Uashington, Ilir Dugolli dhe Shefi i Stafit të kryetarit, Ilir Kërçeli. ​

/Shqip.com