Lajme

Konfimohet vendimi i KPK-së nga Supremja për degradimin dhe transferimin e prokurores Shemsije Asllani

Gjykata Supreme e Kosovës e ka konfirmuar vendimin e nxjerrë nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), me 12 janar 2022, ku prokurorja Shemsije Asllani, me këtë vendim ishte degraduar dhe transferuar në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës.

Sipas këtij vendimi të nxjerrë nga Gjykata Supreme më 24 shkurt 2022, është refuzuar ankesa e paraqitur nga prokurorja Asllani, ndaj vendimit të KPK-së për degradimin dhe transferim e saj në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kundër këtij vendimi qëndron, avokati i saj, Artan Qerkini, i cili ka treguar se Gjykata Supreme ishte destinacioni i tyre i fundit.

Lexo edhe:
Pas publikimeve të Shqip.com, shkarkohet Dardan Nuhiu

“Sanksionin disiplinor e ka dhënë Këshilli Prokurorial, u parashtrua ankesa, ku gjykata supreme e ka refuzuar, prokurorja ka dhënë dorëheqje”, ka thënë ai për Shqip.com.

Avokati, Artan Qerkini

Shemsije Asllani ka dhënë dorëheqje nga pozita e prokurores të  krimeve të rënda në Prishtinë.

Asllani është degraduar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) pas publikimeve të Shqip.com.

Lexo edhe:
U degradua nga KGjK pas publikimeve të Shqip.com, Driton Muharremi jep dorëheqje edhe nga pozita e gjykatësit

Shqip.com në kuadër të Dosjes “Inteligjenca e Zhvatjes” kishte publikuar edhe tekstin me titull Ekskluzive: Ndërhyrje në raste, ushtrim i ndikimit, keqpërdorim i pozitës dhe fotografi të dyshimta – rasti me plot dritëhije i prokurores Shemsije Asllani, ku në një bisedë telefonike tashmë ish–prokurorja e krimeve të rënda në Prishtinë, Shemsije Asllani, i tregonte një telefonuesi se si ka ndikim të madh brenda sistemit dhe do ta përdorë këtë ndikim për të ndërhyrë edhe në rastin e tij.

Ajo premtonte se do ta ushtrojë ndikimin e saj, vepër penale kjo e dënueshme deri në tetë vjet burg, në rastin e një personi që thoshte se padrejtësisht iu ka ndaluar një veturë shumë e kushtueshme./Shqip.com