Lajme

Komuna e Kamenicës: Nuk e kemi shkurtuar orarin e punës për punëtoret që agjërojnë

Komuna e Kamenicës ka bërë të ditur se nuk ka shkurtuar orarin e punës për punëtoret që agjërojnë.

Përmes një njoftimi për media, nga kjo komunë është bërë e ditur se zyra e kryetarit nuk ka marrë një vendim të tillë.

“Zyra e Kryetarit të Komunës së Kamenicës ka pranuar telefonata të vazhdueshme si dhe kërkesa për prononcime, për çështjen e lirimit nga orari si dhe shtyrjen e fillimit të orarit të punës për administratën komunale, për shkak të Muajit të Ramazanit. Zyra e Kryetarit nuk ka marrë një vendim të tillë, si dhe procesi i punës vazhdon si zakonisht në Komunën e Kamenicës”, thuhet në njoftim.

Por ndryshe nga Kamenica, komuna e Gjilanit, e udhëhequr nga kryetari Alban Hyseni gjatë ditës së djeshme ka marrë vendim për shkurtimin e orarit të punës për 1 orë për agjëruesit.

/Shqip.com