Kulturë

Komisioni kundër Racizmit në Zvicër: Anulimi i Alba Festival ishte diskriminues

Alba Festival

Alba Festival është njëri nga eventet më të mëdha të muzikës dhe kulturës shqiptare që organizohet në Zvicër, që do të mbahet me datën 2 dhe 3 korrik.

Për dallim nga ky vit, ai i të kaluarit nuk ishte lejuar të mbahej nga Jacqueline Fehr, drejtoreshë e drejtësisë e Cyrihut.

Përgjegjësit e Festivalit Alba prisnin deri në 20,000 vizitorë para eventit vitin e kaluar, kur vendimi për anulim erdhi me arsyen se “shkalla e vaksinimit në komunitetin shqiptar është shumë e ulët dhe mbajtja e eventit është shumë e rrezikshme”.

Lexo edhe:
“Alba Festival” vjen me reagim pas anulimit të festivalit

Shumë njerëz e konsideruan vendimin e qeverisë së Cyrihut diskriminues, kryesisht për shkak se festivali përfshinte një rregullin ‘3G’, i cili lejonte vetëm personat e vaksinuar, rikuperuar apo të testuar negative të merrnin pjesë.

Parapërgatitjet për Alba Festival, 2021

Megjithatë, vendimi për anulim duket se kishte baza diskriminuese ndaj shqiptarëve.

Në një raport nga Komisioni Federal i Racizmit, thuhej se “nuk kishte asnjë arsye objektive” për të justifikuar anulimin e festivalit me incidencën e lartë të infeksionit Brenda grupit të shqiptarëve, njofton srf.ch.

Arsyeja e anulimit të ngjarjes është “perceptuar me të drejtë si diskriminuese”, thuhet në letrën që disponon mediumi “NZZ” dhe “Tages-Anzeiger”.

Pamje nga Alba Festival

“Në thelb, është problematike të justifikosh tërheqjen e një leje me origjinën e audiencës së synuar”, thuhet ndër tjerash në të.

Komisioni Federal kundër Racizmit dërgoi vlerësimin e tij në Departamentin e Drejtësisë së Cyrihut shtatorin e kaluar, por ai nuk u publikua kurrë nga departamenti i Fehr. 

Jacqueline Fehr më pas kërkoi falje dhe urdhëroi një hetim të pavarur nga Komisioni Federal kundër Racizmit.

Ndërsa tani, Fehr është shprehur se nuk do të marrë pjesë në edicionin e sivjetëm, me arsyen se çështja u politizua dhe nuk ngurroi t’u urojë pjesëmarrësve të tjerë për festivalin.

Përndryshe, emra të njohur të estradës, si: Mozzik, Getinjo, Lyrical Son, Mc Kresha, Tayna, Dafina Zeziri, Dhurata Dora e shumë të tjerë kanë konfirmuar prezencën e tyre në Alba Festival. /Shqip.com