Lajme

KMDLNj-ja i reagon Kurtit: Ivanoviqi kishte përgjegjësi për ekzekutimin e 49 shqiptarëve

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit të vendit, Albin Kurti, për ish-politikanin serb Oliver Ivanoviq, në 5-vjetorin e vrasjes së tij.

Përmes një videoje, kreu i ekzekutivit i thuri lavde Ivanoviqit, derisa kërkoi zbardhjen e vrasjes së tij.

Por, në reagimin e KMDLNj thuhet se Ivanoviq kishte përgjegjësi për ekzekutimin e 49 shqiptarëve gjatë dhe pas përfundimit të luftës në Kosovë.

Sipas reagimit, Ivanoviqi ka qenë i akuzuar dhe i dënuar për krime lufte dhe shkelje të së drejtës humanitare me 9 vite burg, ndërsa rasti ishte kthyer në shqyrtim në Gjykatën Themelore në Mitrovicë.

Më 16 janar 2018, në ora 8.15 të mëngjesit para zyres së partisë që e drejtonte, në Mitrovicë ishte vrarë Oliver Ivanoviq, i akuzuar dhe i dënuar për krime lufte dhe shkelje të së drejtës humanitare me 9 vite burg ndërsa rasti ishte kthyer në shqyrtim në Gjykatën Themelore në Mitrovcë. Oliver Ivanoviq ishte një kohë deputet i Kuvendit të Kosovës sikur që portretizohej si lider i serbëve të Veriut të Kosovës ndërsa për KMDLNj-në nuk kishte asnjë dyshim se ai kishte përgjegjësi komanduese dhe ishte urdhërdhënës për krime lufte dhe shkelje të zakoneve të luftës gjatë luftës së fundit në Kosovë sikur edhe për krime kundër njerëzimit, pas përfundimit të luftës. Në bazë të dëshmive nga dëshmitarët që mbijetuan ekzekutimin dhe fakteve tjera të filmuara nga Halit Berani dhe bashkëpunëtorët në Qendrën Rajonale në Mitrovicë, Zyra e KMDLNj-së në Prishtinë e akuzoi Oliver Ivanoviqin për vrasjen e 39 shqiptarëve, që të gjithë civilë të paarmatosur gjatë luftës sikur edhe 9 shqiptarëve dhe 2 boshnjakëve, në shkurt të vitit 2000 në Mitrovicën e Veriut, e ndarë dhe e okupuar nga forcat paraushtarake dhe parapolicore serbe”, thuhet në reagimin e KMDLNj-së.

KMDLNj-ja ka kundërshtuar fuqishëm adresimin Kurtit me rastin e 5 vjetorit të vrasjes së Ivanoviqit, që theksohet se është i dënuarit për krime lufte në Kosovë.

Lexo edhe:
Dikur u akuzua për krime lufte, sot Kurti i thuri lavde Ivanoviqit

Sipas tyre, adresimi i Kurtit përmban fjalë që janë në kundërshtim të plotë me të drejtat e njeriut, me të drejtat e viktimave dhe të drejtat e familjarëve për drejtësi dhe informata.

KMDLNj –ë kundërshton fuqishëm adresimin e fundit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me rastin e 5 vjetorit të vrasjes (të pasqaruar) të të dyshuarit dhe të dënuarit për krime lufte në Kosovë, Oliver Ivanoviq me fjalë që janë në kundërshtim të plotë me të drejtat e njeriut, me të drejtat e viktimave për drejtësi dhe të drejtat e familjarëve për drejtësi dhe informata e që është dekurajim për të gjithë ata që angazhohen për drejtësi për viktimat dhe përgjegjësi për ata që kryen krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, pas një gjykimit të drejtë, të paanshëm dhe të pandikueshën politikisht apo mbi ndonjë bazë tjetër. Duket qartazi se në Kosovë për shkak të një oportuniteti politik, krimet e luftës do të luftohen vetëm në planin retorik e që, me kalimin e kohës dhe ndonjë marrëveshje politike ato do të margjinalizohen krejtësisht”, thuhet në reagim.

Për KMDLNj-në është shqetësues fakti se as presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe as kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca nuk kanë reaguar pas adresimit të Kurtit, të cilin e quan glorifikues.

Duket pas këtij adresimi, të pakundërshtuar zyrtarisht të kryeministrit për rastin Ivanoviq, nuk ka mbetur asgjë tjetër përveç që kryetari i Kuvendit të Kosovës ta thërras një seancë të jashtëzakonshme ku presidentja do ta propozojë që Oliver Ivanoviq, post mortem të shpallet Qytetar Nderi, i Sinqertë dhe i Respektuar i Mitrovicës. Turp i përjetshëm dhe ekzekutim i serishëm i viktimave të Oliver Ivanoviqit nga ata që me Kushtetutë duhet t’i përfaqësojnë dhe mbrojnë të gjitha viktimat, pavarësisht përkatësisë nacionale, fetare, moshës, gjinisë, bindjeve politike, statusit në shoqëri etj. KMDLNj ka ofruar fakte të mjaftueshme me të cilat vërtetohet përgjegjësia konkrete dhe faktike e Oliver Ivanoviqit dhe të tjerëve për veprat e krimeve të luftës, shkeljes së të drejtës humanitare dhe krimeve kundër njerëzimit përmes deklaratave të dëshmitarëve okularë, listave të personave të ekzekutuar, fotografi, filmime të rasteve, listave të personave të dëbuar dhunshëm, pengimi i personave të dëbuar dhunshëm që të kthehen në pronat e tyre si pasojë e spastrimit etnik. Vrasja e Oliver Ivanoviqit e pamundëson gjykimin e tij e që KMDLNj ka qenëjetësisht i interesuar dhe i angazhuar, për ta përcaktuar përgjegjësinë penale të tij por kjo, në asnjë mënyrë nuk nënkupton se veprat e tij kriminale të amnistohen, të relativizohen dhe që një kriminel lufte të glorifikohet”, thuhet ndër të tjera në reagimin e KMDLNj.

/Shqip.com