Lajme

Dikur u akuzua për krime lufte, sot Kurti i thuri lavde Ivanoviqit

Oliver Ivanoviq
Oliver Ivanoviq

Oliver Ivanoviq lindi në Pejë më 1 prill në vitin 1953 nga babai Bogdan dhe nëna Ollga, edukatorë, të cilët në atë kohë punonin në një shkollë në fshatin Irzniq apo Rrezar afër Deçanit dhe për këtë arsye në të gjitha dokumentet e tij shkruhej se ai ka lindur në Irzniq.

Shkollën fillore e nisi në Gjakovë, ku familja jetoi deri në vitin 1965, më pastaj u shpërngulën në Mitrovicë, ku mbaroi shkollën e mesme teknike.

Si familje tradicionale ushtarake rrjedh me origjinë nga Mali i Zi dhe me kërkesë të babait të tij, në vitin 1971, regjistrohet në Akademinë Ushtarake në Zagreb.

Ai donte të bëhej pilot, por një problem me shikimin e pengoi ta bënte këtë, kështu që u regjistrua në inxhinieri mekanike.

Edhe pse ishte student i shkëlqyer, jeta nën “kapelë”, siç tha ai, nuk ishte ajo që donte dhe pasi kreu me sukses vitin e tretë, la Akademinë Ushtarake dhe u kthye në Mitrovicë, ku vazhdoi dhe përfundoi me sukses studimet e inxhinierisë mekanike.

Në rini, sukseshëm vazhdoi në karate dhe gjatë qëndrimit në Zagreb ishte pjesë e klubit KK “TEMPO”, kurse pas kthimit në qytetin e Mitrovicës, filloi punën për popullarizimin e këtij arti luftarak tek të rinjtë.

Njëkohësisht, ai mori titullin e gjyqtarit ndërkombëtar.

Oliver Ivanoviq me familjen

Klubi i karatesë “Trepça”, i cili më vonë u shndërrua në klubin e karatesë “Ktitor”, u kurorëzua me çmime në kampionatet evropiane dhe ata të botës.

Fillimi i luftës në Kosovë, e gjeti në postin e zëvendësdrejtorit në ndërmarrjen “Feronikel”, me seli në Prishtinë.

Politika nuk ishte asnjëherë temë e interesit të tij, por rrethanat e fillimit të luftës e shtynë atë në atë histori, e cila do të mbetej një segment i rëndësishëm për gjithë jetën.

Ai fliste gjuhë të huaja, zotëronte një pragmatizëm specifik dhe respekt të jashtëzakonshëm në qytetin nga i cili nuk donte të largohej kurrë. Dhe ky ishte verdikti!

Njerëzit me të cilët ndau të mirat dhe të këqijat gjatë atyre ditëve të luftës, në një qytet tashmë të ndarë, e prisnin këtë prej tij.

Oliver Ivanoviq në dokumentet e NATO-s

Si ish-paramilitar serb, dyshohej për krime lufte kundër popullatës civile shqiptare, gjatë prillit të vitit 1999, kur ishin vrarë dhjetëra shqiptarë. Ivanoviq dyshohej për pjesëmarrje në vrasjen e dhjetë shqiptarëve, përfshirë një fëmije 13 vjeç.

Ivanoviq, kukull dhe kriminel lufte

Ivanoviq ishte pjesë e forcave rezervë të Serbisë gjatë luftës dhe njëri prej themeluesve të organizatës paraushtarake, “Rojat e urës”, pas luftës.

Ai dyshohej për masakrën e 14 prillit 1999, në Bair të Mitrovicës, kur qenë vrarë 31 shqiptarë. Dyshohet po ashtu për vrasje të shqiptarëve një vit më vonë, në veri të Mitrovicës, gjatë fushatës për dëbimin e shqiptarëve nga pronat e tyre. Gjatë kësaj fushate ishin vrarë në shtëpitë dhe banesat e tyre: Nderim Ajeti (13), Nerimane Xhaka (42), Remzije Canhasi (56), Selime Berisha (60), Nezir Voca (61), Shqipe Voca (54), Bashkim Rrukeci (38), Nimon Sejdiu (52), Sebiha Abrashi (50) dhe Muharrem Sokoli (51). 25 persona të tjerë ishin plagosur.

Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut në Mitrovicë, i kryesuar nga Halit Berani, kishte bërë kallëzim penal kundër Ivanoviqit pikërisht për këto krime. Ata akuzonin Ivanoviqin se ishte pjesëmarrës i masakrës më të madhe në Mitrovicë.

Si pjesëmarrës në këto krime, Ivanoviqi përmendej edhe në dosjet e KFOR-it dhe të UNMIK-ut. Në dokumente të KFOR-it, Ivanoviqi portretizohet si kriminel dhe lider i moderuar. Ai pas luftës ishte përkrahës i ish-kryeministrit serb të vrarë, Zoran Gjingjiq.

Sipas dokumenteve të KFOR-it, Oliver Ivanoviq gjatë luftës në Kosovë ishte anëtar i partisë së Slobodan Milosheviqit. Atë kohë ishte aktiv për largimin e shqiptarëve nga puna në veri të Mitrovicës.

Për një kohë të shkurtër Ivanoviqi kishte spastruar Mitrovicën nga shqiptarët me përgjegjësi në organizatat punuese dhe në ato sportive, në fillim të viteve ‘90”, thuhet në dosje të NATO-s.

Me fillimin e luftës ai ishte bërë pjesë e një grupi paramilitar serb dhe kishte qenë aktiv në rajonin e Mitrovicës. Dokumentet thonë se në palestrën e sporteve ai u kishte shpërndarë armë civilëve serbë.

“Së bashku me vëllanë e tij, ai kishte hartuar një listë për likuidimin e intelektualëve dhe civilëve të tjerë shqiptarë në veri të Kosovës”. KFOR-i e bënte përgjegjës direkt për vrasjen e 26 shqiptarëve gjatë kohës së luftës.

KFOR-i shkruante se ai kishte konkurrencë me Milan Ivanoviqin në Këshillin Nacional Serb të Veriut. Gjatë vitit 2001, së bashku me Rada Trajkoviqin, ishin bërë pjesë e institucioneve të përkohshme të Kosovës duke marrë pjesë në zgjedhjet e 17 nëntorit 2001, duke u zgjedhur deputetë, me kuotën e rezervuar për pakicat.

Në dokumentet e KFOR-it thuhet se Ivanoviqi angazhohej për bashkëpunim me forcat ndërkombëtare në Kosovë për kthimin e serbëve të zhvendosur. Në dokument thuhej se ai ishte i gatshëm të garonte për një vend në Kuvendin Komunal të Mitrovicës, vetëm për t’u bërë hero i serbëve të atjeshëm.

“Pas luftës Oliver Ivanoviqi jetonte mirë ekonomikisht. Banesën e tij prej 100 metrash katrorë ua kishte dhënë me qira ushtarëve të KFOR-it në Mitrovicë, për çka paguhej 12 mijë marka gjermane në muaj”, shkruante në dokumente.

KMDLNJ-ja në Mitrovicë e kishte bërë përgjegjës penalisht Oliver Ivanoviqin shumë herë. Në një kallëzim të kësaj organizate thuhet se natën ndërmjet 3-4 prillit 1999, Oliver Ivanoviqi dhe Dragan Delibashiqi kanë udhëhequr fushatën e vrasjes së dhjetë shqiptarëve, plagosjen rëndë të 25 të tjerëve, keqtrajtimin 93 personave dhe dëbimin e mbi 100 familjeve.

Ekipit për dëbimin e shqiptarëve i kanë prirë: Oliver Ivanoviq, Dragan Delibashiq, Zharko Kosovac, Miodrag Raliq, Dushko Shiligoviq, Ivan Mandiq, Rade Spasojeviq etj. Për këtë dëshmojnë: Shpend Hasani, Kemajl Gucati, Rexhep Hyseni, Shaban Azemi, Jashar Jashari etj. Këta dëshmitarë dhe të tjerët tregojnë se masakra e asaj nate është bërë para syve të ushtarëve francezë dhe policëve të UNMIK-ut, të cilët nuk ndërmorën asgjë për mbrojtjen e viktimave nga terrori i kriminelëve”, thuhej në një kallëzim penal.

Kryetari i KMDLNJ-së e quan kryekriminel Ivanoviqin

Kryetari i KMDLNJ-së për rajonin e Mitrovicës, Halit Barani, ka rrëfyer për të bëmat e Oliver Ivanoviqit në këtë qytet. Ai e ka quajtur kryekriminel Ivanoviqin, dhe e ka bërë përgjegjës për pushkatime dhe dëbime të shqiptarëve.

Përmes një shkrimi të gjatë në llogarinë e tij në Facebook, Barani thotë: “një grup kriminelësh serbë të cilëve iu printe kryekrimineli, Oliver Ivanoviq, Igor Simiq dhe Sergjan Aleksiq, i grumbullojnë rreth 100 meshkuj shqiptarë, kryesisht të rinj, me ç’rast 31 prej tyre i pushkatojnë”.

Ai thotë se njëri nga dëshmitarët i quajtur Isa Mustafa të cilin vetë Oliver Ivanoviqi, bashkë me tre shokë të tij, e ka liruar (shpëtuar nga pushkatimi) ka dhënë deklaratë me shkrim menjëherë pas luftës.

Barani ka përmendur edhe disa raste të tjera, të cilat mund t’i lexoni në shkrimin e tij më poshtë:

Për ata që nuk kanë njohuri se cili ishte kryekrimineli, Oliver Ivanoviq në Mitrovicë.

Më 14.IV.1999, ushtria, milicia, paraushtarakët dhe civilët serbë të armatosur i dëbojnë me dhunë të gjithë banorët shqiptarë të lagjeve “Qendra 2”, një pjesë nga “Qendra 1” dhe të lagjes “Ilirida”. Gjatë dëbimit, një grup kriminelësh serbë të cilëve iu printe kryekrimineli, Oliver Ivanoviq, Igor Simiq dhe Sergjan Aleksiq), në lagjen “Qendra 1”, në të ashtuquajturën “Rruga e Kovaçëve”, i grumbullojnë rreth 100 meshkuj shqiptarë, kryesisht të rinj, me ç’rast 31 prej tyre i pushkatojnë. Për këtë rast ka shumë dëshmitarë. Në mesin e tyre është edhe Isa Mustafa, të cilin vetë Oliver Ivanoviqi, bashkë me tre shokë të tij, e ka liruar (shpëtuar nga pushkatimi), i cili menjëherë pas lufte ka ofruar deklaratë me shkrim në KMDLNJ, derisa dëshmitarët tjerë po ngurrojnë dhe nuk kanë dhënë deklarata me shkrim, ngase po frikësohen se mos po u prishet kumbaria me kriminalët serbë. Për këtë masakër ka shkruar edhe vetë serbi Nikolla Paqarizi në librin “Na ibru çuprija”, i cili e përshkruan masakrën, ku në një rast thotë: “Rrugës për në shkollën “Meto Bajraktari” serbët kanë ecur mbi trupat e pajetë të shqiptarëve”. Trupat e shqiptarëve të pushkatuar i kanë marrë kriminelët serbë dhe i kanë varrosur në një djerrinë, në mes të fshatrave Suhadoll dhe Vidimriq, për çka, deri në muajin shtator 1999, janë konsideruar si të zhdukur. Pas mbarimit të luftës, 26 prej tyre u identifikuan dhe u rivarrosën në varrezat e fshatit Shupkovc ndërsa 5 kanë mbetur të pa identifikuar.

Halit Barani, kryetar i KMDLNJ-së

Më 16.IV.1999, për të tretën herë (ditë) me radhë, forcat çetnike kriminele ushtarako – policore, paraushtarake e civile serbe i fusin me dhunë shqiptarët në kolonë drejt Shqipërisë. Më këtë rast, në lagjen “Ura e Gjakut”, saktësisht në vendin e quajtur tek Kroi i Broboniqit, derisa ishte duke vazhduar lumi i njerëzve (kolona), një grup kriminelësh të cilëve iu printe kryekrimineli, Oliver Ivanoviq pas tij ishin, Dejan Saviq, Ratko Antonijeviq, Nenad Paviqeviq etj. ka pasur edhe tjerë milicë e civil serb të armatosur dhe të maskuar, pasi i nxjerrin prej kolone 9 të rinj shqiptarë i fusin në oborrin e shtëpisë së Musa Likoshanit të cilve pasi ua lishin duartë me tela I vendosin rreth posit (bunarit) I cili ishte në oborr dhe i pushkatojnë. Ata janë: Mehdi (Mursel) Tahiri (21), Bashkim (Xhemajl) Abazi (41), banor të lagjes “Bair”, Adem (Muharrem) Demiri (18) nga fshati Sumë i Vushtrrisë, Fatmir (Nezir) Avdyli (18), Fadil (Nezir) Avdyli (25), Bedri (Nezir) Muja (35), Sami (Faik) Sahiti (31), banor të lagjes “Ilirida”, Halil (Qazim) Brahimi (20), banor i lagjes “Ura e Gjakut” dhe Smakë (Hamzë) Maliqi (40) nga fshati Fushë-Ibër i Mitrovicës. Trupat e tyre të pajetë i tërheqin, pas pesë ditësh, pjesëtarët e UÇK–së të njësitit në Vaganicë dhe i varrosin në varrezat e fshatit Vaganicë. Dëshmitar i kësaj masakre është edhe vetë autori i këtyre rreshtave.

Pas lufte kryekrimineli Oliver Ivanoviq-Ola ishte komandant i rojave të urës në pjesën e okupuar të Mitrovicës.

Në mes datave 3 e 4 shkurt 2000 duke filluar rreth orë 21 të 3 shkurt deri rreth orës 4 të dates 4 shkurt viti 2000, kriminelët çetnik serbë, të prirë nga kryekrimineli, Oliver Ivanoviq, i quajtur–Ola, në lagjet “Lumbardhi” dhe “Kodra e Minatorëve” vranë, brenda nëpër shtëpitë dhe banesat e tyre, Muharrem (Ramë) Sokolin (51), Nezir (Hetem) Vocën (61), bashkëshorten e Nezirit, Shqipen (54), Selime (Omer) Berishën (60), Remzije Canhasin (56), Nderim (Nexhmedin) Ajetin (13), Sebaha (Arif) Abrashin (50), Negjmije (Xhevdet) Xhakën (44), Bashkim (Brahim) Rrukecin (38) dhe Niman (Ibish) Sejdiun (52).

Që nga 3 shkurti 2000 deri në mars 2004 nga pjesa e okupuar e qytetit të Mitrovicës, bandat kriminele çetnike serbe në krye me kryekriminelin në fjalë janë dëbuar me dhunë nga shtëpitë dhe banesat e veta 1564 familje shqiptare më 11364 anëtarë ku sot e asaj dite pjesa dërrmuese e tyre jetojnë nëpër komuna tjera të Kosovës dhe jashtë Kosove nëpër shtëpi e banesa të huaja.

Kryekriminelin në fjalë gjykata në Mitrovicë e pati dënuar me 9 vite burg por pasi aj kishte ushtruar ankesë lëndën e kthejnë në rigjykim kurse kryekriminelin në fjalë e lirojnë të mbrohet në liri. Nuk i zgjati shumë e vranë bashkëkombësit, bashkëkriminelët çetnik serbë.

Flora Peci rrëfen për krimet e Ivanoviqit në Mitrovicë

Dëshmitarja dhe familjarja e viktimave të masakrës në Rrugën e “Kovaqëve” në Mitrovicë, Flora Peci ka rrëfyer për krimet e Oliver Ivanoviqit në këtë qytet.

Peci në emisionin ‘Pressing’ në T7 tha se ka mbetur e shokuar që një kriminel si Ivanoviq të ngritët në piedestal nga kryeministri Albin Kurti.

Flora Peci, dëshmitare dhe familjare e viktimave të masakrës në Rr. e “Kovaqëve” në Mitrovicë

Kam qenë e shokuar se kjo më erdhi nga një koleg kur nuk e prisja fare dhe në rend të parë jam befasuar se si një kriminal që bëri krime në Mitrovicë të ngritët në piedestal nga një kryeministër. Nuk i takoj asnjë partie politike, unë jam shqiptare i takoj një kombi. Këtë që e kam dëgjuar, unë kam ndjerë dhimbje, dhembjen e 30 familjeve që jemi në atë rrethinë, ku ishte urdhri i Ivanoviqit që të prej e masakrojë. Të gjithë vëllezërit ai i ka vrarë. Ai ka dhënë urdhër që të vriten. Konkretisht dua që t’ju dëshmojë”, ka thënë ajo.

Ajo po ashtu ka treguar se si një grua kishte kërkuar nga Ivanoviqi që t’ia shpëtojë djalin.

Një grua fqinje i thoshte ‘Oliver shpëtoma djalin’, ai e ka vënë maskën përniher, unë kur e kam kthyer kokën të shikojë, atë e kam parë duke e vënë maskën. Si mund të themi që nuk ishte Oliveri. Oliverin e njohin të gjithë shqiptarët e Mitrovicës. Disa prej tyre na kanë thënë që ju betohemi se nuk do t’ju mungojë asnjë fije floku vetëm do t’i legjitimojmë”, ka thënë Peci.

Blakaj: Kryeministri s’do të duhej ta lavdërojë një të dënuar për krime lufte

Duke iu referuar një deklarate përkujtimi me fjalë të mira për ish-politikanin serb, Oliver Ivanoviq nga kryeministri Kurti, Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare ka thënë se kryeministri i Kosovës nuk do të duhej të lavdërojë të dënuarit për krime lufte.

Duke folur në emisionin “Pressing”, Blakaj ka thënë se deklarata e Kurtit, është për keqardhje.

“Është me të vërtetë për keqardhje, e papranueshme, jo vetëm për familjarët, por edhe për neve si shoqëri civile, besoj për tërë shoqërinë që kryeministri i vendit me lavdëru dikënd i cili ka qenë i dënum në shkallë të parë për krime lufte dhe është kthyer në rigjykim”, ka thënë ai.

Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare

Blakaj ka deklaruar se ky është parim jo vetëm në rastin e Ivanoviq, por për këdo që që ka qenë në proces gjyqësor për krime lufte.

“Dhe këtë e them në mënyrë parimore, jo vetëm për Ivanoviqin, por kushdo të ketë qenë në proces gjyqësor si i akuzuar për krime lufte, shqiptar a serb, nuk do të duhej të lavdërohej nga përfaqësuesit e shtetit e sidomos jo nga kryeministri”, ka thënë ai.

“Shpreh pakënaqësinë time me këtë deklaratë”, ka vazhduar Blakaj.

Në fund, Blakaj ka thënë se situata në këtë pikë ka ardhur si rrjedhojë e një numëri të madh faktorësh.

Oliver Ivanoviq, në dokumentin konfidencial të NATO-s

Oliver Ivanoviq, në dokumentin konfidencial të NATO-s, cilësohet, gjithashtu, si një prej figurave kyçe të serbëve të veriut, edhe pse me një popullaritet jo edhe stabil, shkaku i babait të tij ish-aparatçik i komunizmit. Dallueshëm prej Milan Ivanoviqit, Oliveri konsiderohet nga “survejuesit” e NATO-s, siç thuhet në dokument, më liberal dhe i një vije më të butë politike.

Sikur edhe të gjithë serbët tjerë të veriut, edhe ky e kishte trupin në Kosovë e kokën në Beograd. Por, gjithmonë me tendenca të lidhjes me vijat më liberale në Beograd, konkretisht njihet si i afërt me partinë ish-kryeministrit serb, tani të ndjerë, Zoran Gjingjiq, dhe me qarqet tjera rreth Vuk Drashkoviqit.

Në organizatën e veriut, KOS, Oliver Ivanoviq, sipas dokumentit të NATO-s, ishte vetëm një kukull, sepse, shkaku i pafuqishmërisë së tij politike, prapa i rrininin përfaqësuesit ekstremistë serbë të Zubin Potokut.

Në dokumentin konfidencial të NATO-s citohen veprime të tjera të Oliver Ivanoviqit, të kryera para dhe gjatë luftës në Kosovë. Ai, atëherë si anëtar i SPS-it të Millosheviqit, thuhet në dokument, është shquar në fushatën për largimin e shqiptarëve nga puna, në veri të Mitrovicës, dhe për diferencimin e tyre nga të gjitha organizatat sportive, në krye të cilave kishte ardhur me direktiva të pushtetit në Beograd dhe ishte mandatuar me këtë mision. Për një kohë të shkurtër, Oliver Ivanoviqi e kishte spastruar Mitrovicën nga shqiptarët me përgjegjësi, në organizatat punuese dhe në ato sportive, në fillim të viteve ‘90.

Kurse, në fund të viteve ’90, Oliver Ivanoviqi përmendet si pjesë e një grupi paramilitar serb, në shërbim të plotë të krimeve të bëra me strategji në Kosovë, nga regjimi i Millosheviqit. Para luftës, sipas dokumentit të NATO-së, Oliver Ivanoviq, në palestrën sportive të Mitrovicës iu kishte shpërndarë armë serbëve, kurse kishte bërë plane për shfarosjen e shqiptarëve në lokalin “Kafana”, në Zveçan. Bashkë me një vëlla të tij, ai kishte hartuar një listë për likuidimin e intelektualëve dhe civilëve të tjerë shqiptarë në veri të Kosovës.

Oliver Ivanoviq ishte paraqitur vullnetarisht në Stacionin Policor në Mitrovicën e Veriut, me marrëveshje paraprake në mes të një prokurori ndërkombëtar nga Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK) dhe përfaqësuesit të tij ligjor.

Oliver Ivanoviq në gjykatë

Albin Kurti: Oliver Ivanoviq është kriminel

Oliver Ivanoviq është kriminel lufte, shprehej Albin Kurti, para disa vitesh.

Kur Gjykata Themelore në Mitrovicë e kishte shpallur fajtor Oliver Ivanoviqin në janar të vitit 2016, duke e dënuar me 9 vjet burgim për krime lufte ndaj popullatës civile në Kosovë gjatë viteve 1999-200, partia që drejtohet nga Kurti, Lëvizja Vetëvendosje, e kishte quajtur “poshtërim” aktgjykimin.

Drejtësisë me komponentë ndërkombëtarë i janë dashur gjithsej 17 vite që ta shpallin të fajshëm personin përgjegjës për vrasjen, lëndimin, dëbimin dhe shkatërrimin e pronave të shqiptarëve në veri të Mitrovicës. Oliver Ivanoviq dhe bashkëpunëtorët e tij gjatë dhe pas përfundimit zyrtar të luftës në Kosovë janë angazhuar për realizimin e planit hegjemon të shtetit të Serbisë – kolonizimi i Kosovës dhe spastrimi i tij. Oliver Ivanoviqi dhe bashkëpunëtorët e tij nuk janë asgjë më pak se sa konkretja e doktrinës së Ilia Grashaninit – vrit dhe dëbo”, thuhej atëherë në reagimin e LVV-së.

Ai aktgjykim, për LVV-në e Albin Kurtit shpërfaqte “padrejtësinë ndërkombëtare”.

Veprat për të cilat është gjykuar Oliver Ivanoviqi përbëjnë veprat penale të nivelit ndërkombëtar, e që konsiderohen si vlera të mbrojtura në të mirë të mbarë njerëzimit. Veprimet e grupit të Ivanoviqit nuk dhunuan vetëm vlerat e mbrojtura me ligjet vendore. Ata dhunuan vlerat e mbrojtura me katër konventat e Gjenevës dhe aktet e tjera që sanksionojnë veprimet të tilla si krime ndërkombëtare. Shqiptimi i një dënimi të tillë e tregon më së miri gatishmërinë që sunduesit e ligjit sa janë të gatshëm të mbrojnë postulatet më vlefshme dhe të mbrojtura në nivel ndërkombëtar”, thuhej tutje në reagim.

Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Mitrovicës, më 4 shkurt të vitit 2016, nëpërmjet një komunikate për media, e fajësonte Oliver Ivanoviqin dhe Dragan Delibashiqin, për vrasjen e 10 qytetarëve në Mitrovicën e Veriut.

Kur Oliver Ivanoviq u vra më 16 janar të vitit 2018, LVV-ja nuk reagoi. Por të gjithë e dinin se cili ishte qëndrimi i kësaj partie për politikanin serb. Ivanoviqi për LVV-në mbetej ai që “ka shkaktuar vrasjen e 41 shqiptarëve, lëndimin e qindra të tjerëve dhe dëbimin e më shumë se 12 mijë qytetarëve shqiptarë”.

Edhe një vit pas vrasjes së politikanit serb, Kurti dhe partia e tij vazhduan ta përkujtonin Ivanoviqin si udhëheqës të grupit paramilitar “Rojat e Urës”, që kishte urdhëruar dhe marrë pjesë vetë në vrasjen e shqiptarëve të veriut në shkurt të vitit 2000. Qeveria e atëhershme kritikohej se mbajti një minutë heshtje për të.

Sot, 19 vite më parë, saktësisht në natën mes 3 dhe 4 shkurtit 2000, strukturat kriminale serbe të përfshirë në formacionet e pandjekura paramilitare të Sllobodan Millosheviqit para syve edhe të KFOR-it francez, zbatuan vrasjen e 10, plagosjen e mbi 80, si dhe dëbimin sistematik të mbi 1500 familjeve shqiptare nga veriu i Mitrovicës ditëve dhe muajve të ardhshëm”, shkruante LVV-ja më 3 shkurt 2019, duke kujtuar natën e tmerrit.

Partia e Kurtit citonte Ivanoviqin që në një deklaratë për Neë York Times në të të cilën kërkonte mirëkuptim për atë që kishte ndodhur.

Kështu, gati deri në vetëpranim, do të deklaronte për Neë York Time e datës 10 shkurt 2000, Oliver Ivanoviq politikan serb i dënuar me 9 vite burg për vrasje shqiptarësh në Mitrovicë. I dënuar nga drejtësia gjysmake e EULEX-it për diçka që për pak sa se pranon me gojën e vet, por për çudinë e botës i përkujtuar me një minutë heshtje nga qeveria e Kosovës në të njejtën ditë me Komandant Jonuz Musliun”, shkruante LVV-ja.

Komunikata e Lëvizjes Vetëvendosje

Ndërkohë Kurti, në një intervistë në televizionin N1 në gjuhën serbe, e kishte quajtur Ivanoviqin kriminel lufte dhe për këtë kishte marrë një reagim nga Beogradi.

Atëherë nga Beogradi i kishin kërkuar që t’i tërhiqte ato fjalë.

Marko Gjuriq, ambasador i Serbisë në Washington, atëherë drejtor i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në qeverinë serbe, i kërkonte Kurtit t’i tërhiqte fjalët.

Oliver Ivanoviqi s’ka qenë kriminel lufte, Ivanoviq ka qenë përfaqësues dhe lider i popullit serb në kohët më të vështira, ka luftuar për interesin e tyre dhe ka bërë sakrificën më të madhe që një njeri mund ta bëjë”, kishte thënë Gjuriq.

Më 16 janar të vitit 2018, ishte vrarë para zyrave të tij në veri të Mitrovicës, lideri i Iniciativës Qytetare SDP, Oliver Ivanoviq. Ai ishte vrarë përmes një atentati me armë zjarri, ku ishte qëlluar me gjashtë plumba nga një veturë në lëvizje. Ivanoviqi dyshohej se ka qenë pjesëmarrës në masakrën e 14 prillit 1999, dhe në fushatën për dëbimin e shqiptarëve nga veriu një vit më vonë, që kishte rezultuar me 10 të vrarë.

Ai ishte akuzuar e dënuar nga shkalla e parë e Gjykatës Themelore në Veri të Mitrovicës me 9 vjet burg. Dënimi ishte marrë në janar të vitit 2016, ndërsa në shkurt të vitit 2017 Gjykata e Apelit, e ktheu të gjithë rastin në rigjykim.

Vendi ku u vra Oliver Ivanoviq

Oliver Ivanoviq u vra më 16 janar të vitit 2018, me gjashtë plumba në shpinë. Ai la pas vetes pesë fëmijë: Nikollën, Zharkon, Jankon, Kiarën dhe Bogdanin.

E disa vjet më vonë kur mori drejtimin e ekzekutivit të vendit, gjërat ndryshuan katërçipërisht.

Madje serbët mund ta dëgjonin në gjuhën e tyre kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, që të hënën pasdite e përkujtoi me një video politikanin Oliver Ivanoviq, i cili u vra pesë vjet më parë. Kur ai u vra dhe disa vjet pas atij krimi, Kurti e konsideronte Ivanoviqin kriminel.

Të hënën pasdite shumë mbetën të befasuar kur Kurti në një video e përkujtoi Ivanoviqin si njeri të hapur, të sinqertë e të respektuar. Tani, kryeministri i Kosovës dëshiron që kështu të mbetet i gjallë kujtimi për politikanin serb.

Sot ne përkujtojmë jetën dhe kujtimin e Oliver Ivanoviqit, në ditën e vdekjes së tij. Mendimet dhe ngushëllimet e mia janë me familjen dhe miqtë e tij. Oliver Ivanoviq ishte një person i përkushtuar për të luftuar për interesat e komunitetit dhe qytetit të tij. Ai e bëri këtë duke qenë i hapur, i sinqertë, gjithmonë i mprehtë në çështjet me rëndësi, por edhe i respektueshëm edhe ndaj atyre me të cilët nuk ishte dakord. Do të dëshiroja që kujtimi i tij të mbetet i gjallë, kujtimi i tij si një njeri që punoi për një të ardhme të qëndrueshme dhe për një Kosovë shumë etnike”, ka thënë kryeministri Kurti në një video.

Tutje, ai ka thënë se vrasja e Ivanoviqit e ndikoi gjithë shoqërinë dhe shtoi se kujtimi për të ruhet duke e trajtuar njëri-tjetrin me respekt edhe kur nuk pajtohemi.

Duke e parë dhe dëgjuar Kurtin t’i thotë këto fjalë, shumë serbë e shqiptarë mund të kenë pyetur: Kur dhe pse e ndryshoi mendimin për dikë që e akuzonte për spastrim etnik?

Ish-bashkëpartiakët i vihen kundër Kurtit

Ish-zëvendës ministri nga radhët e LVV-së dhe analisti politik, Jusuf Thaçi, shkruan se, edhe sikur politikani i vrarë serb, Oliver Ivanoviq të mos ishte dënuar për krime lufte, prapëseprapë madhërimi i tij nga kryeministri Albin Kurti, do të ishte i pavend.

Edhe sikur Oliver Ivanoviqi të mos ishte fare i dyshuar e i dënuar (në shkallë të parë) për vrasje e krime kundër shqiptarëve, kryeministri i Kosovës nuk do të duhej të kishte asnjë arsye për ta kujtuar e për ta madhëruar një person si ai, sepse ai nuk i ka sjellë asnjë të mirë Kosovës as qytetarëve të saj”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Jusuf Thaçi – Ish-zëvendësministër i Arsimit

Por, dënimi i Ivanoviqit, që Thaçi është i sigurt se do t’i rikonfirmohej, e bëjnë kujtimin për të nga Kryeministrit “një krim”.

Mirëpo, Oliver Ivanoviqi ishte i dyshuar e i dënuar (në shkallë të parë) për vrasje e krime kundër shqiptarëve në Kosovë (me siguri do të dënohej edhe me rastin e rigjykimit dhe në të gjitha shkallët e gjykatave, sepse kundër tij ekzistojnë dëshmi e dëshmitarë të shumtë), prandaj kujtimi e madhërimi i tij nga kryeministri i Kosovës përbën krim moral, kombëtar e historik”, ka thënë Thaçi.

Reagojnë njohësit e drejtësisë

Lidhur me këtë rast, ka reaguar Ehat Miftaraj, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD). Ai ka thënë se deklaratat e të parit të ekzekutivit, Albin Kurti, për ish-politikanit serb, Oliver Ivanoviq, janë fyese për familjet e 10 kosovarëve të vrarë në prill të vitit 2000.

Ai ka përmendur edhe të kaluarën kriminale të Ivanoviqit, me ç’rast ishte dënuar edhe në shkallë të parë nga Gjykata e EULEX-it, si udhëheqës i grupit kriminal, “Rojet e urës”.

Sipas Miftarajt, kryeministri Kurti ka ndryshuar qasje sa ishte në opozitë dhe se kjo sipas tij nuk i bën nderë kryeministrit, por as Qeverisë. Thotë, se familjet e në atë pjesë janë terrorizuar nga këto grupe terroriste.

Po më së paku mund të themi që ishte një deklarim skandaloz nga ana e kryeministrit Kurti, i cili në emër të Qeverisë së Kosovës i thuri lavde jetës dhe veprës së Ivanoviqit. Po flasim për një politikan serb, kontrovers i cili nga Gjykata e EULEX-it ishte dënuar me nëntë vite burg për dyshimet ku ishin vrarë dhjetë civil shqiptarë gjatë vitit 2000”, ka thënë Miftaraj.

Ehat Miftaraj – Drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi

Tutje, ia ka thënë se: “Me vetë faktin se i njëjti në vitin 2000 por edhe gjatë luftës ka mbajtur pozita të rëndësishme në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë dhe ka qenë udhëheqës i ‘rojave të urës’ në Mitrovicë, dhe së bashku me Delibashiqin sipas dëshmitarëve, kanë terrorizuar banorët në atë pjesë, ka marrë pjesë në spastrimin etnik të shqiptarëve nga pjesa veriore e Mitrovicës. Kështu që një adresim i tillë, duke e përmendur veprat dhe jetën e Oliver Ivanoviqit, unë besoj se nuk i bën nderë kryeministrit e as Qeverisë, dhe i ofendon familjet e 10 viktimave të cilët ishin vrarë në prillin e vitit 2000”.

Po sipas Miftaraj, kërkesat e vazhdueshme të ndërkombëtarëve për formimin e Asociacionit, ka bërë që kryeministri Kurti ka bërë një deklaratë të tillë për t’i ikur vëmendjes së dialogut e Asociacionit

Politika në Kosovë nuk ka filluar me Kurtin, ku kryeministrat e presidentët në vazhdimësi kanë prodhuar skandale të tilla për t’i ikur vëmendjes e problemeve reale që i kanë qytetarët. Me vetë faktin se javën e kaluar e kishim këshilltarin e lartë amerikan e i cili erdh me kërkesa të qarta dhe me kërkesa të vazhdueshme të ShBA-së që Asociacioni të formohet. Pra kur kërkesat e tilla janë të qarta, kur javën e ardhshme Escobar dhe Lajçak do të vijë Kosovë e Serbi që do të flasin për këtë temë, politikanët tanë mund t’i shfrytëzojnë këto për të ndërtuar situata të tilla që i ikin vëmendjes së publikut për problemet reale që po ballafaqohemi”, ka thënë Miftaraj

Teksa ka folur për deklaratat e kryeministrit Albin Kurti, Miftaraj thotë se viktimat e Reçakut e Ivanoviqi nuk mund të nderohen njëkohësisht.

Kryeministri ka një mori të këshilltarëve dhe këta këshilltar duhet që për çështjet e ndjeshme siç ishte Reçaku apo vdekjet e ish-komandantëve të UÇK-së, të cilët kanë sakrifikuar gjithçka që politikanët ta gëzojnë pozitën e tyre. Kështu që në data të ndjeshme edhe reagimet e prononcimet duhet të jenë më kuptimplota, por edhe të kujdesën që të mos e cenojnë dinjitetin e qytetarëve, e në këtë rast të viktimave të luftës së fundit në Kosovë. Nuk mund që sot të jesh në Reçak e t’u bësh lavdi e nder për viktimat e Reçakut, e ditën e nesërme t’i bësh ‘homazhe’ një figure kontroverse siç ishte Oliver Ivanoviqit”, ka thënë Miftaraj.

/Shqip.com