Lajme

Klinaku: Nuk u prit përgjigja jonë ndaj shkresës së Kurtit, u bë çështje mediale për mashtrime publike

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL të UÇK-së, Faton Klinaku, ka thënë se nuk është pritur përgjigja e tyre ndaj shkresës se kryeministrit por u bë çështje mediale.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Klinaku tha se pushteti këtë e bëri për të bërë mashtrime publike.

“Nuk e pritën përgjigjen tonë ndaj shkresës së kryeministrit, por qysh ditën e nesërme pushteti e bëri këtë çështje mediale, për të bërë lojëra e mashtrime në publik. Flasin për veteranët se meritojnë më shumë benificione sesa marrin aktualisht, e qëllimin e kanë që të mos e lëvizin atë pagesë as në këtë kohë krize”, shkroi Klinaku.

Ai tha se dikush nuk e ka idenë se nga kush behët vlerësimi dhe verifikimet.

“Disa nuk kanë ide se si dhe nga kush bëhet vlerësimi e verifikimi, e disa janë të paskrupullt sepse e dinë që nuk bëhet kjo aktualisht dhe është ndërhyrje në procesin gjyqësor”.

Po ashtu, Klinaku tha se këto kategori të shoqërisë, për shkak të gabimeve teknike nuk mund të leshoj Qeveria asnjë vërtetim dhe i drejton në prokurori.

“Në kohën kur zyra në qeveri për çështje të kategorive të dala nga lufta e UÇK-së, për shkak të një gabimi teknik i drejton njerëzit në prokurori sepse nuk mund të lëshoj as për individin një vërtetim, këta munden tash edhe për kolektivin të bëjnë vlerësim e verifikim”.

Pas më shumë se një muaji pritje, veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë pranuar propozimin nga kryeministri Albin Kurti, lidhur me kërkesat e tyre për përfshirje në pagën minimale.

Kurti ka propozuar që menjëherë dhe bashkërisht të fillojë hartimi i një ligji të ri, i cili e nis një proces të vlerësimit dhe verifikimit të të gjithë pjesëmarrësve të luftës çlirimtare.

Në propozimin e Kurtit thuhet se hartimi i ligjit dhe procesi i verifikimit duhet të kryhet në një kohë sa më të shpejtë.

Ndërkohë, derisa të përfundojë ky proces, si mbështetje shtesë, ai ka propozuar përkrahje në punësimin e veteranëve përmes masave aktive të tregut të punës, duke subvencionuar një pjesë të pagës për një periudhë të caktuar.

Më 16 qershor të këtij viti, organizatat e veteraënve të UÇK-së, kishin protestuar para Kuvendit të Kosovës, me kërkesën kryesore për përfshirjen e tyre në rritjen e pagës minimale.

Lexo edhe:

Nis protesta e veteranëve

Pas protestës, përfaqësuesit e veteranëve ishin takuar me kryeministrin Albin Kurti, por nga ai takim nuk kishte pasur ndonjë marrëveshje.

Lexo edhe:

OVL e UÇK-së: Me Kurtin nuk gjetëm gjuhë të përbashkët, protestojmë nëse Projektligji për Pagën minimale kalon në lexim të dytë

Ditë më vonë, ligji për pagën minimale, ishte miratuar në Kuvendin e Kosovës, me votat e shumicës parlamentare, duke i lënë jashtë rritjes së pagës minimale veteranët e luftës.

Ndërkaq, organizatat e veteranëve kanë paralajmëruar përsëri protesta në kundërshtim të ligjit të ri për pagën minimale./Shqip.com