Lajme

KGJK e KPK-ja reagojnë ndaj deklaratës së Kurtit: Kemi ndërmarrë të gjitha veprimet dhe masat e nevojshme për trajtimin e rastit me profesionalizëm

Këshilli Gjyqësor i Kosovës

Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe ai Prokurorial kanë reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti i cili gjatë ditës së sotme hodhi akuza në drejtim të gjyqtarëve të prokurorëve.

“Aktakuza jo të fuqishme të prokurorëve mundësojnë që dhunuesit shpesh të mos ndëshkohen. Gjykatat nuk i gjykojnë rastet e dhunimeve në përputhje me ligjet në fuqi, që parashohin dënime prej më së paku 10 vitesh për dhunë seksuale ndaj personit nën moshën 14 vjeç”, ka deklaruar gjatë ditës së sotme Kurti.

Mirëpo këtë deklaratë të Kurtit nuk e kanë pritur aspak mirë KGJK dhe KPK-ja.

Në reagimin e tyre, thuhet së këto dy institucione kanë ndërmarrë të gjitha veprimet dhe masat e nevojshme për trajtimin e rastit me profesionalizëm.

Lexo edhe:
Kurti për dhunimin e 11-vjeçares: KGjK e KPK janë ende në heshtje, shoqëria dhe shteti nuk mund të bartë koston e mospunës së tyre

“Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial theksojnë se në raport me këtë çështje sillemi si institucione të përgjegjshme, të pavarura dhe profesionale dhe jo si disa institucione që përmes reagimeve me deklarata publike nuk përngjajnë në institucione shtetërore. Lidhur me këtë rast, ne si institucione kompetente në koordinim të plotë me institucionet tjera relevante, kemi ndërmarrë të gjitha veprimet dhe masat e nevojshme për trajtimin e rastit me profesionalizëm”, thuhet në reagimin e Këshillit e Gjyqësorë dhe Prokurorial të Kosovës.

Lexo edhe:
Dërgohen në mbajtje pesë të dyshuarit për dhunimin e 11-vjeçares, viktima ishte raportuar e zhdukur në qershor

Po ashtu është bërë e ditur se Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial i bëjnë thirrje Qeverisë që të përmbush përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore për krijimin e kushteve të nevojshme për strehimin dhe rehabilitimin e viktimave të krimit, në mënyrë që viktimat e krimit të mos të mbesin në mëshirën e organizatave jo qeveritare për strehim dhe rehabilitim.

Lexo edhe:
Protestë masive në Prishtinë, pas dhunimit të 11- vjeçares nga 5 persona

Mijëra qytetarë, të mërkurën, kërkuan shkarkim të gjykatësve që kanë dhënë dënime nën minimalen e lejuar me ligj për rastet e dhunës seksuale, dhe shkarkim të prokurorëve për neglizhencë ndaj këtyre rasteve”./Shqip.com