Lajme

Kërcënimi ndaj prokurorit të shtetit, gjykata vendos për ish-prokurorin Rexha

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën për caktimin e masës së ndalimit për t’iu afruar personit dhe ndërtesës së Këshillit Prokurorial, në afërsi prej 200 metra, prej një muaji ndaj ish-prokurorit Ali Rexha, i dyshuar për kanosjen e prokurorit Lulzim Sulejmani.

Këtë vendim e ka konfirmuar zyra për informim e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm Penal pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë kundër të pandehurit A.R për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Kanosja nga neni 181 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ka vepruar sipas kërkesës për caktimin e masës Ndalimi për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar Prokurorit të Shtetit në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

Tutje në njoftim thuhet se gjyqtarja e procedurës paraprake e ka aprovuar si të bazuar kërkesën e prokurorit të shtetit dhe të pandehurit A.R i ka caktuar masën e sigurisë Ndalimi për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar, ashtu që të pandehurit A.R i ndalohet që t’i afrohet L.S si dhe ndërtesës së Këshillit Prokurorial, në afërsi prej 200 metra” .

Kjo masë, sipas këtij aktvendimi, do të zgjasë një (1) muaj, duke filluar nga data 21.07.2022, deri me datë 20.08.2022.

Lexo edhe:
Arrestohet ish-prokurori special Ali Rexha

Ndryshe, ish-prokurori special, Ali Rexha, i cili dyshohet se ka kërcënuar prokurorin, Lulzim Sulejmani është arrestuar të mërkurën.

Lajmin e ka konfirmuar për SHQIP.com, zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj, e cila tha se i njëjti është ndaluar.

“Po sot me urdhër të prokurorit i dyshuari është ndaluar, për veprën penale ‘kanosje’”, ka bërë të ditur Ulaj.

Për këtë ka reaguar edhe Këshilli Prokurorial i Kosovës, ku ka dënon fuqishëm kërcënimin ndaj Prokurorit në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, Lulzim Sulejmani./SHQIP.com