Lajme

Arrestohet ish-prokurori special Ali Rexha

Është arrestuar gjatë ditës së sotme ish-prokurori special, Ali Rexha, i cili dyshohet se ka kërcënuar prokurorin, Lulzim Sulejmani.

Lajmin e ka konfirmuar për SHQIP.com, zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj, e cila tha se i njëjti është ndaluar.

“Po sot me urdhër të prokurorit i dyshuari është ndaluar, për veprën penale ‘kanosje’”, ka bërë të ditur Ulaj.

Ndryshe, këshilli Prokurorial i Kosovës ka reaguar sot gjatë ditur, ku ka dënon fuqishëm kërcënimin ndaj Prokurorit në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, Lulzim Sulejmani.

Në komunikatën për media të KPK-së thuhet se këto kërcënime serioze ndaj Prokurorit Sulejmani vijnë si rrjedhojë e angazhimeve të prokurorit në kuadër të aktiviteteve të tij në proceset disiplinore, të realizuara kohë më parë, ndaj ish-pokurorit special, Ali Rexha.

“Këshilli Prokurorial qëndron fuqishëm në përkrahje të prokurorit Lulzim Sulejmani dhe ofron mbështetje të plotë në punën e tij gjatë ushtrimit të funksionit si Prokuror i Shtetit”, thuhe në komunikatë.

KPK-ja siguron opinionin publik se kërcënimet ndaj prokurorëve nuk do t’i zmbrapsin synimet dhe përpjekjet e vazhdueshme për fuqizimin e shtetit ligjor dhe kërkon nga organet kompetente që këtë rast ta trajtojnë me seriozitetin dhe urgjencën e duhur.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës prerë./SHQIP.com