Rozë

Këngëtari i “Elita 5” në mbështetje të studentëve: Besiana Mehmedi me vite maltreton dhe ofendon studentët

Grupi "Elita 5" me studentë

Studentët e Fakultetit të Arteve përmes një konference për shtyp kërkojnë nga Universiteti i Tetovës të merr masa ndaj profesoreshës Besiana Mehmedi për shkak të sjelljes jo etike dhe kërcënuese ndaj studentëve.

Kësaj proteste i është bashkuar edhe këngëtari i grupit “Elita 5”, Arif Ziberi.

Ai tha se është aty për t’i përkrahur studentët.

“Unë jam në përkrahje të këtyre studentëve që me arsye kanë ngritur shqetësim. Ky shqetësim ekziston që moti dhe kam ardhur që t’i përkrahi”, tha Ziberi.

Ai u shpreh se profesoresha Besiana Mehemedi me vite e ka në gjak maltretimin dhe ofendimin.

“Unë jam në rrjedha dhe e di për shkak se kam fëmijët këtu në fakultet dhe di ndodhitë që profesoresha bën ndaj studentëve”, u shpreh solisti Ziberi.

Një student tha se studentet e muzikës ka tri javë që e bojkotojnë mesimin.

“Dhuna psikike, bullizmi sistematik përmes fjalëve të ndryshme fyese, kërcënimi që do na kapë për fyti si dhe ndjekja se çfarë pëlqejmë dhe çfarë shkruajmë në rrjete sociale nga profesoresha Besiana Mehmedi, janë vetëm disa nga arsyet pse grupi i studentëve të artit muzikor tash 3 javë bojkoton mësimin në këtë lëndë”, u shpreh njëri nga studentët.

Ata thonë se profesoresha Besiana Mehmedi ka thyer nenin 320 të Statutit të UT-së ku garantohet shprehja e lirë e studentëve.

“Të gjitha këto shkelje po hasin në vesh të shurdhër të kompetentëve. 17 ditë më herët kemi dërguar ankesë deri te të gjitha instancat brenda UT-së dhe deri tani nuk kemi marrë asnjë përgjigja”, tha studenti duke shtuar se ata nuk kërkojnë asgjë më shumë por vetëm të respektohet Statuti.

Ata kërkuan të ndërmarrin masa ndaj profesoreshës dhe se profesoresha nuk ka ardhur në ligjërata gjatë gjithë vitit.

Ndërkaq nga Fakulteti i Arteve theksuan se janë në proces të zgjidhjes së problemit dhe se Komisioni Disiplinor është në shqyrtim të rastit./SHQIP.com