Lajme

Jasharaj letër Kurtit: Qasja juaj ndaj sindikatave është e gabuar

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj.
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj.

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj, i ka dërguar letër publike kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, përmes së cilës i ka thënë se qasja e tij ndaj sindikatave dhe “tendenca për të ndikuar” në zgjedhjen e udhëheqjes së tyre, është e gabuar.

“I nderuar Kryeministër Kurti mora një informatë nga Komiteti i Sindikatave Evropiane të Arsimit (ETUCE) dhe nga Unioni Evropian i Sindikatave të Shërbimeve Publike (EPSU) se ju i jeni përgjigjur shkresës së tyre që të kanë dërguar më 9 dhjetor 2021”, thuhet në letrën e tij.

Lexo edhe:
Kryetarët e sindikatave- Kurtit: Nuk mund të vendosësh për ne

Sipas Jasharajt, duke para qasjen “e gabuar” të Kurtit ndaj sindikatave, kryetari i ETUCE, Larry Flanagan, drejtorja evropiane e ETUCE-së, Susan Flocken dhe sekretari i përgjithshëm i EPSU-së, Jan Willem Goudriaan kanë shprehur pakënaqësinë e tyre duke i dërguar letër Komisionerit të Bashkimit Evropian për Punë dhe Drejtësi Sociale, Nicolas Schmit që ai ta ngritë këtë çështje dhe të marr hapa konkret bazuar në kompetencat që ka.

“I nderuari Kryeministër Kurti po ju kujtoj edhe një herë se qasja juaj ndaj sindikatave dhe tendenca që të ndikosh se kush duhet e kush jo t’i udhëheq ato është e gabuar”.

“Nuk qëndron vlerësimi juaj dhe për këtë nuk ke as edhe një argument, kur u paske deklaruar me shkrim zotërinjve Flanagan e Gourdiaan dhe znj. Flocken se deklaratat tuaja për ndryshime në drejtimin e sindikatave nuk duhet të perceptohen në asnjë mënyrë si kërcënim ndaj pavarësisë së atyre sindikatave”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“U paske shkruar edhe se këta të fundit mund dhe duhet të zgjedhin gjithmonë udhëheqjen e tyre në zgjedhje të lira, të ndershme dhe transparente. Por se drejtuesit aktual të këtyre sindikatave nuk pasqyrojnë vullnetin e vërtetë demokratik të anëtarëve të tyre, përkundrazi, ato u instaluan nga qeveritë e korruptuara, neoliberale të së kaluarës”.

“I nderuar Kryeministër vazhdo të mendosh e të deklarosh çfarë të duash, por e vërteta të demanton në këtë që keni thënë. Viti 2017 ishte vit i zgjedhjeve në SBASHK dhe ato ishin zhvilluar në të gjitha nivelet sindikale me transparencë e duke respektuar Statutin e SBASHK- ut”.

“Kongresi i mbajtur më 24 shkurt 2018 kishte zhvilluar punimet në prani të medieve dhe me pjesëmarrjen e shumë mysafirëve ndërkombëtarë dhe ata kishin parë nga afër se kryetari Jasharaj nuk u instalua nga dikush, por u zgjodh me votën e lirë e të fshehtë të delegatëve të Kongresit dhe ka besimin e plotë të të gjithë anëtarësisë”.

“Edhe viti 2021 ishte vit zgjedhor dhe ky aktivitet po i afrohet fundit duke zgjedhur organet udhëheqëse që nga shoqatat e shumta sindikale në çerdhe, Arsimin Parauniversitar, në Universitete dhe në institucione të kulturës”.

Kongresi i radhës, siç ka bërë të ditur Jasharaj, do të mbahet më 2 prill 2022 dhe “prapë në prani të mediave e me pjesëmarrjen e shumë mysafirëve nga sindikatat mike dhe me përfaqësuesve të lartë të EUCE-së, delegatët me votën e lirë e të fshehtë e në garën mes dy a më shumë kandidatëve do të vendosin se kush do t’i udhëheq në mandatin e radhës dhe i pëlqeu dikujt ajo, njëri nga kandidat serioz edhe për një mandat jam unë Rrahman Jasharaj”.

“Kryeministër Kurti ta lëmë në vullnetin e anëtarësisë e përmes delegatëve të zgjedhur nga ata të vendoset për kryetarin e ri të SBASHK-ut sepse këtë vullnet nuk mund të ndryshojë e mohoj askush, pra as ju si Kryeministër, apo dikush tjetër nga institucionet e Kosovës”.

“Kryeministër të ruhemi sidomos në komunikim me ndërkombëtarët që të mos deklarojmë e të mos shkruajmë gjëra të cilat nuk qëndrojnë dhe për të cilat nuk kemi as edhe një argument”./SHQIP.com