Lajme

Jasharaj flet pas përplasjes verbale me Bashën: Debati dëshmon urrejtjen për mësimdhënësit

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës Rrahman Jasharaj ka folur lidhur me debatin e tij me deputetin  Lëvizjes Vetëvendosje Dimal Bashën pas mbledhjes së Komisionit të Arsimit.

Përmes një prononcimi për media, Jasharaj tha se paraqitja e Bashës ishte fyese dhe e vrazhdë.

“Debati ishte i tillë e keni parë edhe vetë, falë zotit që janë mediat se debati nuk ishte i një pjesë për të bërë zgjedhje dhe ishte një debat këshillues së çfarë duhej të bëhej dhe çfarë nuk kemi bërë. Ne kemi pritur një emocion pozitiv dhe ju e patë se si ishte angazhimi im dhe ai nuk ishte anëtarë i atij komisioni ngase e kam përcjellë në paraqitjet e tij se janë të vrazhda, fyese, ofenduese”, tha Jasharaj.

Jasharaj tha se Basha është duke dhënë vlerësime se një përqindje e madhe e mësimdhënësve janë analfabet duke e cilësuar si urrejtje dhe vlerësim skandaloz ndaj mësimdhënësve.

“Është pikërisht ky që na jep vlerësime që a jemi 67 apo 68 për qind të njerëzve tanë analfabetë dhe e kam ditë se ai asnjë debat dhe asnjë fjalë të hajrit nuk ka folur sot dhe debatin e tij e patë ju edhe vetë që nxiti tensionime. Ne nuk jemi që të tensionohemi në situata. Nga ky debat shihet një urrejtje dhe një vlerësim tejet skandaloz ndaj mësimdhënësve”.

Sot pas mbledhjes se SBASHK-ut me Komisionin e Arsimit, Basha dëgjohet duke i thënë Jasharajt se duhet t’i bërtas së ndryshe nuk merr vesh si dhe i ka mbajtur fëmijët peng për 50 euro.

“Je i pasinqertë në kërkesat e tua, ti i ke marrë fëmijët peng dhe kujt duhet të i vijë marrë, t’i që I mbanë fëmijët peng apo unë që them që duhet me i ndal grevat. Dinjitetin e ke kthyer në para. A ke luftuar para luftës pa pare, e tash për 50 euro po i mbanë fëmijët peng”, tha Basha.

Ndërsa, Jasharaj dëgjohet vazhdimisht duke i thënë se duhet t’i vijë marre Bashës për fjalorin që është duke përdorur kundrejt tij.

Gjithashtu, Jasharaj i tha Bashës se deputetët si ai e kanë sjell punën kështu.

“A pe sheh qysh po bërtet, deputet si ti e kanë sjell punën këtu”.

Përplasja mes tyre ka nisur në përfundim të mbledhjes së Komisionit për Arsim, të cilën Jasharaj e lëshoi para kohe.

Jasharaj për Avokatin e Popullit: Ne flasim një version, ai del krejt kontra

Megjithatë në Komisionin për Arsimi, Jasharaj ka thënë se Avokati i Popullit nuk mund të bëjë marrëveshje.

Në komisionin Parlamentar për Arsim, Jasharaj shtoi se greva nuk mbyllet kur thotë Avokati i Popullit, por se ajo do të bëhet kur vendos anëtarësia.

“Avokati i Popullit në dy takime ka çuar letra, nuk ka. Avokati i Popullit nuk mund të bëjë marrëveshje. Ne flasim një version, ai del krejt kontra. Madje, para dy ditësh ai doli në televizion dhe deklaroi: ‘Të martën mbyllet greva’. Prit ne në telefona, prit në telefona. As telefonatë nuk pati, as takim, por ai doli dhe deklaroi që do të mbyllet greva. Greva do të mbyllet para mediave dhe atëherë kur thotë anëtarësia ‘Po’”.

Ai ka thënë se në takim me Kurtin nuk ka marrë asnjë ofertë.

“Lutjet e mia kanë qenë që kryeministri të na ofrojë diçka. Në takimin dy orësh me kryeministrin nuk na është ofruar asgjë, përveç atyre të stilit: ‘ose merr, ose lëre’. Pra, asnjë ofertë, as me shkrim e as me gojë nuk kemi pasur, përveç asaj: ‘ose merr ose lëre’”.

Ai tha se kërkesat e SBAShK-ut janë legale dhe duhet të pranohen nga Qeveria./SHQIP.com