Lajme

IPKO për padinë e Inspektoratit të Tregut: S’është vendim i prerë

Ipko flet për padinë e Inspektoratit të Tregut për shkelje ndaj konsumatorëve

Ani pse 180 ankesa të qytetarëve bënë që Inspektorati i Tregut ta padis operatorin ekonomik “IPKO” për shkelje ndaj konsumatorëve, nga kjo kompani thonë se kjo padi nuk është vendim i prerë.

Kështu kanë vlerësuar nga ky operator i telefonisë mobile në një përgjigje me shkrim për Gazetën Shqip.com, derisa kanë sqaruar kushtet e kontratës me konsumatorin.

Lexo edhe:
Shqip.com shpall konkurs për gazetarë dhe praktikantë

“Na lejoni të ju informojmë se padia e cila është drejtuar drejt kompanisë “IPKO”, nuk është vendim i prerë. Në momentin që kemi përgjigje do të mbeteni të informuar”, thuhet në përgjigjen e zyrës për komunikim të kësaj kompanie.

Një nga arsyet që ka çuar konsumatorët deri te ankesa në Inspektorat të tregut, është promovimi i shërbimeve të cilat kjo kompani nuk i ofron ose që ka qenë në dijeni paraprakisht se nuk mund t’i ofrojë.

“(IPKO) Ka vendosur kushte të padrejta në kontratë duke e kushtëzuar klientin/ konsumatorin që në rast të shkëputjes së kontratës para afatit prej 12 muajsh, klienti/ konsumatori obligohet të paguajë për muajt e mbetur, edhe pse i njëjti nuk ka mundësi të shfrytëzojë shërbimet për të cilat ka lidhur kontratën”, thuhet mes tjerash në padinë e inicuar më datë 23 shtator në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Padia ndaj operatorit ekonomik “IPKO”
Padia ndaj operatorit ekonomik “IPKO”
Padia ndaj operatorit ekonomik “IPKO”

Por, për këtë “IPKO” thotë se e ka të pamundur që të garantojë se përmbajtja e platformës së vet do të jetë e pandryshueshme gjatë periudhës kontraktuale me përdoruesin, ani pse të drejtat e transmetimit për kanalet dhe ngjarjet e ofruara synon t’i kontraktojë për periudha sa më të gjata.

“Bazuar në kushtet e kontratës, përkatësisht nenit 12.3, ju informojmë se të drejtat e transmetimit për kanalet dhe ngjarjet e ofruara nga IPKO në platformën e vet, janë të drejta që kontraktohen për periudha të caktuara”.

“IPKO gjatë negocimit të tyre, gjithmonë synon që t’i kontraktojë të njëjtat për periudha sa më të gjata, mirëpo duke marrë parasysh karakterin dinamik të tyre, IPKO e ka të pamundur të garantojë që përmbajtja e platformës së vet do të jetë e pandryshueshme gjatë periudhës kontraktuale me Përdoruesin”, thuhet më tej në përgjigjen e tyre për redaksinë.

Shqip.com ka kontaktuar edhe Autoritetin Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), i cili luan rolin ligjor-rregullator në kujdes ndaj përdoruesin fundor.

Të pyetur se çfarë po bëjnë për t’u kujdesur për konsumatorin, nga ky institucion thonë se në vazhdimësi janë duke mbikëqyrë dhe po ndërmarrin në funksion të mbrojtjes së tyre në kuadër të kompetencave të veta.

Autoriteti Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare

“Operatorët në rastin konkret IPKO Telecommunications LLC, përveç posedimit të Autorizimit për ofrimin e rrjetit dhe shërbimeve të komunikimeve elektronike të lëshuar nga ARKEP, posedon edhe Licencë për transmetim të kanaleve televizive të lëshuar nga KPM e që në rastin konkret lista e kanaleve miratohet nga KPM”, thonë më tej nga ARKEP.

Ata përgjegjësitë i drejtojnë nga Komisioni i Pavarur për Media për përmbajtjet e transmetuara nëpërmjet TV-së.

“Bazuar në dispozitën ligjore ARKEP nuk është kompetent për përmbajtjen e transmetuar nëpërmjet TV, andaj çështjen e parashtruar nga ju duhet ta drejtoni në Komisionin e Pavarur për Media, si organ përgjegjës për licencimin dhe monitorimin e përmbajtjes së transmetuar”, sqarojnë nga ky institucion.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë me anë të një komunikate për media, kanë njoftuar se Inspektorati i Tregut ka paditur një operator ekonomik.

Tashmë është bërë publike edhe procedura kundërvajtëse që është inicuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku janë shpjeguar edhe arsyet pse është kërkuar fillimi i kësaj procedure.

“Duke u bazuar në nenin 9, paragrafin 1, pika 1.3, të Ligjit nr. 03/L-181 për Inspektoratin dhe mbikëqyrjen e Tregut, inspektorët e tregut kanë realizuar inspektim tek operatori ekonomik, ku kanë analizuar dokumentacionin e dorëzuar nga operatori ekonomik, ankesat e konsumatorëve, provat materiale dhe në bazë të këtyre dëshmive ka rezultuar se operatori ekonomik ka bërë shkelje ndaj konsumatorëve”, thuhet në padinë e Inspektoratit.

Padia është incizuar me datën 23 shtator në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Lidhur me çështjen, Gazeta Shqip.com nuk ka marrë përgjigje nga Themelorja në Prishtinë edhe pasi ka kontaktuar me zyrtarë brenda këtij institucioni. /Shqip.com