IPK-ja kërkon suspendimin e një togeri dhe një zyrtari policor, dyshohen se ndihmuan në fshehjen e laboratorit të drogës
Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e një togeri dhe një zyrtari policor pasi dyshohen se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare.
Sipas njoftimit të IPK-së, zyrtarët policor dyshohen se kanë kryer veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Pengim i të provuarit apo procedurës zyrtare” dhe “Dhënia e ndihmës kryeseve pas kryerjes penale”.
Hetimi i këtij rasti është vazhdimësi e hetimit të rastit të mëhershëm ku IPK-ja ka arrestuar një zyrtar policor me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale të “Keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit” dhe “Manipulim me prova”.
6 milionë euro është vlera e drogës së sekuestruar dhe 1.5 milion euro është vlera e pajisjeve të shkatërruara nga laboratori i drogës në Izvor, në afërsi të kufirit me Serbinë, gjatë aksionit që është realizuar nga Policia e Kosovës dhe Dogana e Kosovës.
Në Izvor ishte zbuluar një laborator i kultivimit të marihuanës, në të cilin janë gjetur mbi 10 mijë fije bimë të gatshme për t’u shitur ilegalisht në treg./Shqip.com