Kulturë

Intervistë / Behar Gjoka: Të shkruash letërsi, kërkon gjendje, kurse studimi, verifikim

Behar Gjoka / Studiues dhe shkrimtar
Behar Gjoka / Studiues dhe shkrimtar

Behar Gjoka është një nga shkrimtarët dhe studiuesit më të rëndësishëm të botës shqiptare. Përveçse shkrimtar, Gjoka është dhe një studiues këmbëngulës e dëshmues, i njohur dhe i respektuar në të gjitha trevat shqiptare dhe jo vetëm.

Në këtë rrafsh, rrugëtimi i tij është shumëdimensional, madje kjo vihet re jo vetëm në planin historiko / letrar, po edhe në planin shoqëror e politik të kohës në të cilën jetojnë e më përtej.

Ai është i pranishëm në letrat shqipe me artikujt më problematikë të politikës e shoqërisë sonë në përgjithësi.

Padyshim që do ta shënjojë pozicionin e Behar Gjokajt si një zë themelor dhe krejtësisht autentik në letërsinë bashkëkohore shqipe.

Në këtë intervistë, Gjoka flet për letërsinë, historinë e letërsisë shqipe, lëndën e romaneve, kritikën letrare, zhanret letrare, lidhjen me shkrimin dhe studimin, për rolin e botuesit në jetën e shkrimtarit etj.

Nga Tirana, gjithashtu Gjoka flet edhe rreth përfaqësimit të letërsisë shqipe jashtë kufijve shqiptarë, të problematikave të librit, përqasjet dhe çështjet e krijimtarisë së tij në raport me të tjerë libra të brezit të tij dhe jo vetëm, gjithherë me intuitën e shkrimtarit për t’i zbërthyer deri në imtësi.

Shqip.com: Po e nisim këtë intervistë me një pyetje fare të thjeshtë, shkruani zhanre të ndryshme: ku ndiheni më mirë, apo nëse mund ta themi më i “dobishëm”?

Behar Gjoka: Po sjellë për lexuesin botimet e realizuara ndër vite: 1996, vëllimi me tregime Udhëkryq, në 1999, romani Shitësi i gurëve të varrit, në 2000 merr çmim për romanin Orët e Ringjalljes, në 2002 Poetika e Budit, ShB Albas, Tiranë, i cili në vitin 2003 merr çmimin kombëtar “Penda e Argjendtë”. Në 2004 Proza e Kutelit, në 2005 Trebeshina-ajsbergu i letrave shqipe. Në 2006, riboton studimin Trebeshina-ajsbergu i letrave shqipe, SHB Albas, Tetovë, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës së Maqedonisë. Në 2007 Sistemi Letrar Piramidal, po në 2007 boton romanin Mashtrim i Bukur. Në 2008 Kadareja i Rilexuar, në 2009 ribotohet Orët e Ringjalljes. Në 2010 Kuteli dhe Letrarja dhe Martin Camaj-shkrimtaria e tij, i cili u nderua në Panairin e Librit të këtij viti si libri më i mirë studimor. Në 2011 Migjeni në pakohësi dhe Shkrimtari i dy anëve të kufirit, mbi krijimtarinë e Agim Gjakovës. Në 2012 Autonomia e kritikës letrare, në 2013 Fenomeni Blushi, në 2016 romani Pengu i Ëndrrës, në 2021 romani Qyteti i hienave. Në 2022, monografia Hejza e Pashkut, i cili u nderua në Panairin e librit Prishtinë 2022, si libri më i mirë në kritikën letrare. Në vitin 2022, monografia Shenja Açka, nga QSHSL “Pjetër Budi”, Tiranë. Pra, është botuar krijimtari, një vëllim me tregime dhe pesë romane, një tekst me kritikë letrare dhe dymbëdhjetë tekste studimore. Vihet re anësimi nga studimet letrare, jo si më e mira, as si më e dobishme, po si e domosdoshme, për të patur një ide se cilat janë vlerat letrare të teksteve të secilit shkrimtar, larg famës dhe përcaktimeve jashtëletrare.

Shqip.com: Çdo të thotë për ju të shkruani letërsi dhe njëkohësisht ta studioni atë?

Behar Gjoka: Faktorët e pranisë së letërsisë, me gjasë të ekzistencës së saj, janë: teksti, autori dhe lexuesi. Teksti, është thelbësori, sepse udhëton për te lexuesi, edhe në mungesë të autorit. Nga ana tjetër, njeriu ka më shumë mundësi të jetë lexues për gjithë jetën, ndërsa autor, kur vjen frymëzimi. Pra, shkruaj letërsi, më rrallë, varësisht gjendjes pezull, pra të frymëzuar, ndërsa leximi, ose shkenca letrare, që shpesh ngatërrohet me mësimdhënësit, që japin mësim. Bindja ime është se letërsia nuk shpjegohet, por vetëm zbulohet, në lexim dhe rileximit e pambarimta. Të shkruash letërsi, kërkon gjendje, kurse studimi, verifikimi, gjithnjë duke lexuar, ka gjasa të jetë një proces sistematik, ku leximi është akti më i vlertë, që të jesh në letërsi, kur krijon dhe kur e studion atë.

Shqip.com: Jeni autor i disa librave. Çka shihet brenda, cila është lënda e romaneve?

Behar Gjoka: Deri tani janë botuar nëntëmbëdhjetë  libra, pa ribotimet, nga të cilët gjashtë janë krijimtari,  vëllimi me tregimet Udhëkryq, si dhe romanet: Shitësi i gurëve të varrit, Orët e Ringjalljes, Mashtrim i Bukur, Pengu i Ëndrrës, Qyteti i hienave, pra shkruaj prozë, duke parapëlqyer romanin, kur vjen ngacmimi, që shpesh e emërtojnë si frymëzim. Romanet përcjellin kohën e qenies, jo vetëm shqiptare, dje, sot dhe nesër, përthyer në kamerën autoriale, subjektive. Nuk mendoj se autori, mund të interpretoj apo verifikoj tekstin e vetë, fuqinë e fjalës e ka ngurosur në shkronja. Lexuesi dhe koha e thotë fjalën, pas daljes së librit. Më vjen në mend një thënie nga antikiteti: Prisni që t’ju gjykojë më i urti i të gjithë këshilltarëve: Koha (Perikliu).

Shqip.com: I ktheheni një herë apo shumë herë frazës apo paragrafit që shkruani, duke bërë limimet e duhura deri sa të mos keni gjë më për të bërë, apo shkruani me një frymë dhe i ktheheni më vonë tekstit për ta riparë?

Behar Gjoka: Sigurisht që kthehem disa herë madje, më kujtohet një rast nga përmbledhja me tregime, teksti “Lëndina e luleve” është shkruar mbi njëzet herë. Kur troket frymëzimi hidhet pa vonesë, pastaj lihet kohë për të krijuar distancën e nevojshme, për ta redaktuar dhe limuar tekstin. Mendoj, se ka rëndësi të shkruash kur je i mbushur, po kaq rëndësi ka ta rishohësh tekstin, për shmangur sa të mundesh nga dritëhijet.

Shqip.com: Pas viteve ‘90, letërsinë tuaj ia keni ofruar lexuesit shqiptarë dhe jo vetëm. Sa të rëndësishëm e shihni botuesin në jetën e shkrimtarit?

Behar Gjoka: Librat e mi pjesa më e madhe është botuar në Shqipëri, disa janë botuar në Kosovë dhe ndonjë në Maqedoninë e veriut. Botuesi është mjaft i rëndësishëm, por nuk duhet harruar autori, si dhe paraqitja e tekstit. Është një marrëdhënie jetike, pavarësisht se është e ndërlikuar.

Shqip.com: Si e shihni historinë e letërsisë shqipe në raport me veprat pararendëse dhe me modelet e tyre?

Behar Gjoka: Për vitet e monizmit, ka qenë histori e përjashtimeve, sepse ka munguar letërsia e shekujve të 16-17, si letërsi fetare, janë përjashtuar Fishta, Konica, Koliqi, Haxhiademi, Skiroi, nga letërsia e së kaluarës, po ashtu janë përjashtuar Lame Kodra, Mysine Kokolari, Kasëm Trebeshina, Martin Camaj, Arshi Pipa, Anton Pashku e të tjerë… Nuk di pse na dalin tepër autorët…

Shqip.com: Në çfarë niveli mendoni se tashmë është kritika letrare tek ne (Kosovë e Shqipëri)? A ka një mungesë të kritikës së mirëfilltë, a po dominojnë klanet duke u përpjekur ta “përmbysin” vlerën?

Behar Gjoka: Ka një kakofoni mbi praninë dhe mungesën e kritikës letrare. Dikur Kosova ishte në avangardë, e tani ka një heshtim. Kurse në Shqipëri, kritikën e lëvron kushmundet, mësimdhënës që e shohin letërsinë si një situatë që duhet ta gjykojnë, lëvrohet nga poet, prozator, nga gazetar dhe spiker, por kritika letrare profesionale, sa vjen dhe tërhiqet nga fusha e betejës. Më shumë mungon sepse nuk ka një qëndrim unik se çfarë është, dhe mungon hapësira për ta paraqitur një punim të kritikës letrare dhe mbi të gjitha autori shqiptar, përgjithësisht mendon se ka shkruar kryevepër, kur ato mungojnë edhe tjetërkund në letërsinë botërore.

Shqip.com: Në pyeten e radhës, sa ndikon kritika letrare në promovimin e një teksti apo të vet autorit?

Behar Gjoka: E shpie librin te lexuesi, përmes një mendimi të specializuar, gjithsesi një lexim të hapur.

Shqip.com: Sa mendoni se është përfaqësuar letërsia shqipe jashtë kufijve shqiptarë?, përfshirë autorët që nga letërsia e vjetër, romantizmi, letërsia moderne deri tek letërsia e sotme.

Behar Gjoka: Shumë kohë, pati përpjekje për të bërë histori letrare, me tipare përjashtimore, e tani pasi është përmbysur historicizmi dhe socilogjizimi, është kaluar në konceptin hipotetik, sikur letërsia shqipe në gjithë harkun e vetë sendërton konceptin e “Shkollës letrare”, e pamundur për të rrokur historinë e letrave shqipe, sepse në njohje time, këtij nocioni i qëndron vetëm prania e shkollës françeskane dhe shkolla jezuite, në periudhat e tjera nuk ka gjasa të rrumbullakoset në këtë rrethak.

Shqip.com: Si e shihni letërsinë dhe kritikën letrare që krijohet nga shkrimtarët dhe studiuesit e rinj?

Behar Gjoka: Në poezi dhe prozë po vijnë zëra interesant, kam lexuar ndonjë tekst të Adreas Dushit, të Ervin Nezhës, të Esmeralda Shpata, Laura Olldashi, apo në poezi Anila Kruti, e shumë të tjerë… Mendoj, se kanë shumë për të thënë, dhe kam pritshmëri të shumta.

Shqip.com: Nga pikëpamja juaj, çfarë e bën të veçantë krijimtarinë tuaj letrare në raport me të tjerë libra të brezit tuaj dhe jo vetëm?

Behar Gjoka: Endem midis krijimtarisë dhe metateksteve studimore dhe kritike, në përpjekje me gjet formulën se çfarë është letërsi në secilin tekst.

Shqip.com: Për në fund, një pyetje, që duket, si e pashmangshme: ç’je duke punuar tani, në këtë çast?

Behar Gjoka: Po përmbyll një monografi “Petro Marko – shkrimtar i lirisë”, që i ka fillesat në vitin 2013.

/Shqip.com