Kulturë

“Libri i Blamit” sjell në shqip një shikim ndryshe të holokaustit

“Libri i Blamit” sjell në shqip një shikim ndryshe të holokaustit
“Libri i Blamit” sjell në shqip një shikim ndryshe të holokaustit

Në Bibliotekën Kombëtare u zhvillua një takim kushtuar letërsisë ballkanike, rolit të TRADUKI-t, e veçanërisht librit “Libri i Blamit”, përkthyer rishtazi nga Ben Andoni.

Promovimi i librit të shkrimtarit të njohur serb, Aleksandar Tishma, u organizuar nga Bashkia Tiranë dhe Instituti i Librit dhe i Promocionit.

Në takim ishte i pranishëm një nga njohësit më të mirë të letërsisë të këtyre vendeve, Arian Leka, me botueset Irena Toçi e Majlinda Nana Rama, si dhe nxënës e mësues të gjimnazit “Ismail Qemali”.

Të pranishmit folën për librin, autorin dhe tendencat e letërsisë së Ballkanit. Ky vit shënon 100-vjetorin e lindjes së autorit, i ndarë nga jeta 20  vjet më parë. Përkthyesi Ben Andoni thotë se, autori hebre-serb me shumë çmime ndërkombëtare, ka sjellë antiheroin e kohës sonë përmes një shikimi ndryshe të holokaustit.

Për kritikën, e vetmja mënyrë për të vlerësuar me të vërtetë tmerrin e tragjedisë është ta zvogëlojmë atë nga e përgjithshmja në atë specifike, nga ankthi i shumë njerëzve në agoninë e dikujt. Kjo është qasja që mori Aleksandar Tíshma në “Librin e Blamit”, botuar fillimisht në 1972. I vendosur në Jugosllavinë e pas Luftës së Dytë Botërore, në qytetin e Novi Sadit, romani rrëfen dëshpërimin e Miroslav Blamit, i vetmi anëtar i familjes së tij që mbijetoi nga një masakër famëkeqe hungareze të hebrenjve dhe serbëve në brigjet e Danubit në 1942. Libri i kushtohet ngjarjeve të pasluftës dhe megjithëse Novi Sadi në dukje është kthyer në normalitet, Blam është i rrethuar nga fantazmat e atyre, që i ka mbijetuar.

Tíshma nuk ofron as ngushëllim dhe as shpengim për protagonistin e tij. Me “Librin e Blamit”, Tishma hap me guxim një kapitull të ri në tematikën e Holokaustit, që shënoi dekadat e fundit të letërsisë evropiane.

Aleksandar Tishma ishte romancier, poet, por edhe tregimtar, dramaturg dhe përkthyes. Ai lindi më 16 janar 1924 në Horgosh dhe vdiq më 15 shkurt 2003 në Novi Sad (Vojvodinë, ish-RFJ). Veprat e tij letrare janë përkthyer në rreth 20 gjuhë. Për veprën e tij letrare mori çmime e mirënjohje të shumta brenda dhe jashtë ish-Jugosllavisë. /atsh

/Shqip.com