Kulturë

Intervistë: Anton Pançev: Gjuha shqipe zë një vend tepër të rëndësishëm në Lidhjen Gjuhësore Ballkanike

Anton Pançev
Anton Pançev

Anton Pançev, albanolog, përkthyes dhe politolog, prej mese 25 vjetësh, studion albanologjinë, veçanërisht ballkanistikën, letërsinë dhe historinë e shqiptarëve. Një kontribut i vyer i albanologut Pançev, na çon në zhvillimet politike në Ballkan dhe jo vetëm.

Ai ka gjurmuar prej vitit 1997 ku ka studiuar Degën e Ballkanistikës, në të cilat trajtohen marrëdhëniet bullgaro-shqiptare nga pikëpamje historike, politike dhe gjuhësore.

Në një intervistë për Shqip.com, ai flet për lidhjet me gjuhën shqipe, për kontributin në fushën e studimeve albanistike, për veçantinë e gjuhës shqipe, për relacionet kulturore mes shqiptarëve dhe bullgarëve, pastaj për kulturën shqiptare dhe lidhjet e saj me shtetin bullgar, për përkthimet, për çështjet politike shqiptare etj.

Shqip.com: Profesor, lidhja juaj me gjuhën shqipe është e kahershme. Si lindi dëshira për t’u marrë me të?

Anton Panchev: Kur isha student në Departamentin e Ballkanistikës pranë Universitetit të Sofjes, kam studiuar greqisht, rumanisht dhe shqip. Nuk kisha ndërmend që të merresha me shqipen, por në vitin 2005 erdha në Prishtinë për Seminarin e gjuhës shqipe dhe u mahnita nga mikpritja e shqiptarëve. Pastaj i kam vazhduar studimet e mia dhe u bëra profesor në Departamentin tonë dhe tashmë 14 vjet merrem me mësimdhënie, me hulumtime shkencore etj.

Shqip.com: Keni dhënë një kontribut të çmuar në fushën e studimeve albanistike dhe jo vetëm. Gjithashtu, jeni pjesëmarrës i rregullt i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Po ashtu, bashkëpunoni me Universitetin e Tiranës dhe Prishtinës, jeni pjesë e tryezave dhe seminareve me prezantimin e kumtesave shkencore të studimeve në fushën e gjuhësisë ballkanike dhe asaj shqipe. Si i vlerësoni këto takime e bashkëpunime?

Anton Panchev: Këto forume janë shumë të rëndësishme për Albanologjinë, sepse, përveç njohurive të reja, krijojmë dhe mirëmbajmë kontakte me kolegët shqiptarë dhe me specialistët e huaj. Nga takime dhe bashkëpunime të tilla dalin projekte të reja që na lejojnë të përparojmë në punën tonë. Vetëm me përpjekje të përbashkëta, duke i përdorur resurset dhe metodologjitë e shkencave të ndryshme, mund të arrihen rezultate të mirëfillta shkencore. Problemi kryesor i shkencave humanitare është lidhur me ekzistimin e paragjykimeve ndaj të tjerëve dhe kur shtohen edhe ambiciet politike që “t’i mbrosh të drejtat kombëtare, vazhdimësinë historike dhe arritjet kulturore të popullit tënd” krijohen shumë shtrembërime që e pengojnë shkencën dhe dëmtojnë shtyllat e saj. Rrugëdalja është shqyrtimi objektiv shkencor i të gjitha fakteve pa paragjykime dhe pretendime historike dhe kombëtare. Besoj se bashkëpunime të tilla na ndihmojnë që t’i bëjmë korrigjimet e nevojshme dhe të kemi një qasje në të vërtetë shkencore ndaj problematikës së përbashkët.

Shqip.com: A mund të na thoni se sa është studiuar shqipja në kontekstin ballkanik dhe çfarë e bën të veçantë kulturën shqiptare nga kulturat e vendeve të tjera ballkanike?

Anton Panchev: Gjuhët ballkanike dhe bashkëpërkimet midis tyre janë hulumtuar mirë nga studiues ballkanikë dhe të tjerë. Pra, e kemi bazën e fortë metodologjike dhe burimore falë punës së palodhshme të studiuesve të mëparshëm. Gjuha shqipe zë një vend tepër të rëndësishëm në Lidhjen Gjuhësore Ballkanike, sepse përmes historisë së saj mund të hulumtohen shumë elemente morfologjike, sintaksore, leksikore, frazeologjike në gjuhësinë ballkanike. Natyrisht, kultura shqiptare, si çdo kulturë tjetër, ka veçori të panumërta dhe është vështirë për mua të bëj veçime të tilla, por preferoj të përqendrohem mbi gjuhën shqipe. Është e çuditshme si shqipja është zhvilluar në një nivel kaq të lartë, plotësisht e barabartë me gjuhët e tjera evropiane, kur e kemi parasysh faktin se deri fundin e shekullit XІX nuk ka pasur as institucione zyrtare, as organizata të fuqishme qytetare që të merreshin me lëvrimin e saj. Ndoshta shpjegimet duhet të kërkohen tek origjina tepër e lashtë e shqipes.  

Shqip.com: Po ashtu, jeni marrë edhe me relacionet kulturore mes shqiptarëve dhe bullgarëve. A mund të na flisni për afritë dhe dallimet mes gjuhës shqipe dhe asaj bullgare?

Anton Panchev: Parapëlqej të flas për afritë, sepse për shkak të fqinjësisë shumëshekullore bullgaro-shqiptare midis shqipes dhe bullgarishtes ka ngjashmëri të shumta. Kontaktet dhe ndikimet ndërmjet shqipes dhe bullgarishtes kanë përmasa të ndryshme – gjeografike, kronologjike, tipologjike etj. Përcaktimi i zonës së kontaktit ndërmjet bullgarishtes dhe shqipes ka rëndësi të madhe për hulumtimin e interferencës midis dialekteve të të dyja gjuhëve në plan diakronik dhe sinkronik. Ka edhe rëndësi të madhe për gjuhësinë ballkanike, sepse pikërisht zona e kontaktit midis bullgarishtes dhe shqipes i përmban elementet kryesore të Lidhjes Gjuhësore Ballkanike. Vetëm mbi bazën gjeografike të shtrirjes së shqipes dhe të bullgarishtes në disa vise, ku prej vitesh nuk ekzistojnë popullata shqiptare dhe bullgare, mund të shpjegohen në mënyrë shkencore elemente nga topomanistikës ose nga veçoritë e gjuhëve të tyre. Hulumtimet e mirëfillta shkencore duhet të bazohen mbi dokumentet dhe burimet autentike dhe në shkencën e vërtetë nuk mund të bëhen manipulime në hir të interesave politike dhe gjeopolitike.

Shqip.com: Sipas studimeve, kultura shqiptare është e lidhur me shtetin bullgar nga fundi i shekullit XIX, përmes veprimtarisë së kolonisë Shqiptare të Sofjes, si dhe aktiviteteve të shoqërive kulturore, sa mund të kenë ndikuar këto relacione të hershme për të njohur gjuhën e njeri-tjetrit dhe për të vazhduar bashkëpunimin edhe sot?

Anton Panchev: Përkushtimi i rilindësve shqiptarë në Bullgari ka sjellë kontribut të jashtëzakonshëm për Rilindjen shqiptare, por edhe për zhvillimin e kontakteve bullgaro-shqiptare në të gjitha fushat. Që nga fundi i shek. XІX dhe fillimi i shek. XX shkencëtarë si Vasil Kënçov, Nedjalko Kolushev (N. Marenin), Stefan Dimitrov, Jordan Ivanov, Stefan Mladenov, Dimitër Gadzhanov, dhe më vonë Vlladimir Georgiev, Bojka Sokollova e disa të tjerë, kanë qenë jo vetëm midis profesorëve më të famshëm bullgarë, të cilët kanë lënë gjurma të shumta në fusha të ndryshme si historia, gjeografia, arkeologjia, ekonomia, etnografia, gjuhësia etj., por kanë shkruar edhe disa libra dhe shumë artikuj shkencorë, në të cilët janë përshkruar dhe janë hulumtuar viset lindore shqiptare. Ata kanë udhëtuar në Maqedoni dhe në Kosovë dhe përshtypjet e tyre bashkë me një analizë të shkëlqyer kanë sjellë rezultate të larta shkencore. Nga punimet e tyre mund të marrim të dhëna dhe fakte të hollësishme për gjendjen sociale, për ekonominë, tregtinë, gjuhën, situatën fetare, etnografinë, arkitekturën, kolonizimin serb pas Luftërave ballkanike, për arsimin dhe organizimin shoqëror, për kishat dhe xhamitë e për shumë aspekte të tjera nga jeta e shqiptarëve. Edhe në shekullin e ri historiografia dhe gjuhësia bullgare vazhdojnë të japin kontributin e tyre për hulumtimin e shumë aspekteve të rëndësishme nga historia, gjuha, letërsia dhe kultura e shqiptarëve. Punimet e studiuesve të rinj si Teodora Toleva, Marjana Stamova, Iliana Ilieva etj., hedhin dritë mbi periudha vendimtare në zhvillimin e popullit shqiptar. Studimi i prof. Georgi Georgievit “Marrëdhëniet politike bullgaro-shqiptare (1908-1915)” është përpjekja më e re për vlerësimin e lidhjeve ndërmjet shqiptarëve dhe bullgarëve në një periudhë jashtëzakonisht të rëndësishme në historinë e tyre. Në fushën e gjuhësisë dhe të letërsisë kanë punuar dhe punojnë studiues si prof. Petja Asenova, prof. Rusana Bejleri, prof. Ekaterina Tërpomanova, Ludmill Stankov dhe disa të tjerë. Studimet e tyre kanë vlera të veçanta dhe trajtojnë çështje shumë të rëndësishme për zhvillimin e shqipes në Bullgari, për krahasimin e gjuhës shqipe me gjuhët e tjera ballkanike.

Shqip.com: Profesor, ju merreni edhe me përkthime. Sa mendoni se është prezantuar kultura shqiptare në Bullgari dhe anasjelltas?

Anton Panchev: Sa u përket përkthimeve mendoj se letërsia shqiptare ka në prezencë të mirë te publiku bullgar. Mjafton të përmendet fakti se romani i Ismail Kadaresë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” u përkthye së pari në bullgarisht. Gjatë dekadave të fundit dhjetëra shkrimtarë shqiptarë janë përkthyer në bullgarisht, ka zhvillime pozitive edhe në sferat e tjera të artit. Edhe kultura bullgare ka prezencën e vet te shqiptarët, por për bashkëpunimin kulturor gjithmonë ka hapësirë për më shumë aktivitete.

Shqip.com: Si politolog, jeni marrë edhe me çështjen politike shqiptare. Si i vlerësoni raportet në aspektin politik-ekonomik mes bullgarëve dhe shqiptarëve?

Anton Panchev: Secili politikan do të thotë se marrëdhëniet tona janë shumë të mira dhe nuk kemi probleme. Po, kështu është, por situata është pak e ndërlikuar. Për fat të keq Bullgaria nuk ka një strategji të qartë dhe si rezultat nuk ka qasje aktive në rajonin e Ballkanit. Arsyet janë me karakter të ndryshëm, por me pasivitetin e saj Bullgaria nuk mbështet në mënyrë efektive aleatin më të mirë bullgar, Republika e Kosovës, dhe lejon që një shtet i dobët si Serbia të dominojë në Ballkanin Perëndimor. P.sh. sistemi energjetik i Serbisë ndodhet në varësi të thellë nga Bullgaria, por kjo përparësi së bashku me pozicionime të tjera të volitshme, nuk shfrytëzohen fare nga Sofja zyrtare. Nga ana tjetër disa politikanë dhe akademikë shqiptarë në Republikën e Maqedonisë së Veriut në vend që të mbrojnë interesat e kombit shqiptar, i shërbejnë doktrinës serbomadhe duke mbështetur elaboratet e Beogradit kundër bullgarëve. Partitë shqiptare në Republikën e Maqedonisë së Veriut mbështesin përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutën e këtij shteti, por identiteti i bullgarëve në Maqedoninë e Veriut duhet të respektohet dhe të mbrohet nga ligjet dhe institucionet e shtetit – gjuhë, kujtesë historike, monumente etj., si edhe të hiqen fyerjet raciste kundër bullgarëve në librat mësimorë dhe akademikë, të punohet fort për parandalimin e gjuhës së urrejtjes kundër bullgarëve në hapësirën publike. Vetëm kështu integrimi i Maqedonisë së Veriut në BE do të realizohet në përputhje me aktet e këtij Unioni dhe të gjitha komunitetet në këtë shtet do të jenë të barabarta para ligjeve. Jam i sigurt se përfaqësuesit politikë dhe akademikë të shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut janë të vetëdijshëm për dobitë e përbashkëta që burojnë nga realizimi i kërkesave bullgare.   

Shqip.com: Jeni shprehu haptas se e mbështeteni bashkimin e shqiptarëve në një shtet të vetëm, a mendoni se do të ndodhë në një të ardhme të afërt?

Anton Panchev: Unë e ndjek nga afër politikën e Bullgarisë ndaj vendeve ballkanike dhe mund të bëj disa përmbledhje. Që nga viti 1912 interesi kombëtar bullgar ka qenë dhe vazhdon të jetë krijimi i një Shqipërie të bashkuar dhe të fortë, sepse aleancës serbo-greke dihet t’i kundërvihet një aleancë tjetër. Nuk duhet të jemi naivë se integrimi në BE dhe në NATO do t’i zgjidhë këto ballafaqime, meqenëse në thelbin e tyre qëndrojnë doktrinat raciste serbo-greke kundër bullgarëve dhe shqiptarëve. Këto dukuri negative nuk mund të tejkalohen me zhvillimin e kontakteve ekonomike, sepse politika dhe ideologjia e këtyre dy shteteve përcaktohet nga mendimet e vjetra shoviniste. Si analist i pavarur mendoj se Bullgaria do të pranonte pa kundërshtime bashkimin eventual të shqiptarëve në një shtet, por, sipas meje, ende mungojnë kushtet gjeopolitike që aspiratat patriotike të shqiptarëve të realizohen në një të ardhme të afërt.

Shqip.com: Krejt në fund. Çfarë jeni duke punuar aktualisht?

Anton Panchev: Merrem me disa hulumtime për ndikimin e shqipes mbi të folmet e muratorëve në Bullgari, si edhe me analizimin e disa çështjeve historike dhe ideologjike, të lidhura me fatin e përbashkët të bullgarëve dhe të shqiptarëve në Gadishullin tonë. Ka shumë hapësirë për punë, sepse arkivat e Bullgarisë përmbajnë mijëra dhe mijëra dokumente për historinë dhe kulturën e shqiptarëve.

Biografi:

Anton Pançev ka studiuar në Universitetin e Sofjes “Shën Kliment Ohridski”, ku ka mbaruar Degën e Shkencave Politike (1997-2002, Master) dhe Degën e Ballkanistikës (2000-2005, Master). Në periudhën 2006-2007 ka studiuar shqip në Universitetin e Prishtinës. Në vitin 2013 e ka mbrojtur disertacionin me temë për zhvillimet politike në Shqipëri pas vitit 1991 dhe e ka marrë titullin Doktor i Shkencave politike. Nga viti 2009 është profesor asistent në Degën e Ballkanistikës, ku ligjëron shqip dhe disa lëndë zgjedhëse për zhvillimet politike në Ballkan.

Ka mbi 60 punime shkencore në shqip, bullgarisht dhe anglisht, të botuara në disa vende, në të cilat trajtohen marrëdhëniet bullgaro-shqiptare nga pikëpamje historike, politike dhe gjuhësore. Ka marrë pjesë në mbi 40 konferenca shkencore në Bullgari dhe në vende të tjera. Ka përkthyer 10 libra nga shqip në bullgarisht dhe anasjelltas dhe shumë tekste të tjera. Merret edhe me analiza politike për gazeta, revista dhe TV, ku në fokus janë marrëdhëniet bullgaro-shqiptare.

Nga viti 2013 është anëtar i Institutit Shkencor Maqedonas në Sofje, që është themeluar në vitin 1923 nga intelektualë të shquar bullgarë nga Maqedonia me qëllim mbrojtjen e trashëgimisë historike, kulturore dhe shpirtërore bullgare në territorin historik të Maqedonisë. Është anëtar bordi i shumë revistave shkencore.

/Shqip.com