Lajme

IKD: Viktimat e dhunës në familje kanë të drejtën e kompensimit

Një raport i fundit nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, i titulluar “Kompensimi i Viktimave të Dhunës në Familje”, sipas hulumtuesit ligjor, Flamur Kabashi, ka theksuar se viktimat e dhunës në familje kanë të drejtën e kompensimit në rastet kur i pandehuri është shpallur fajtor.

Sipas tij, viktimat kanë të drejtë për kompensim të arsyeshëm për dëmin material, fizik dhe emocional të shkaktuar nga vepra penale për të cilën i pandehuri është shpallur fajtor sipas KPRK.

“Sipas Kodit Nr.08/L-032 të Procedurës Penale viktima ka të drejtë në kompensim të arsyeshëm për dëmin material, fizik dhe emocional të shkaktuar nga vepra penale, për të cilën i pandehuri është shpallur fajtor sipas KPRK. Gjykata që zbaton procedurën penale shqyrton propozimet e palëve, përkatësisht viktima ose personat e autorizuar, lidhur me kërkesat e tyre pasurore juridike, për dëmet që kanë pësuar si rezultat e kryerjes së veprës penale nga të cilët janë dëmtuar”, ka deklaruar Kabashi, raporton Betimi për Drejtësi.

Ai gjithashtu ka shpjeguar se procedura për kompensimin e viktimave të dhunës në familje mund të ndjekë rrugën penale ose të drejtohet drejt një procedurë civile.

“Se a do të vendos gjykata në procedurë penale për kërkesën apo këtë do ta referojë në procedurë civile, rëndësi ka vendimi meritor i gjykatës, me të cilin i akuzuari shpallet fajtor, lirohet nga akuza, refuzohet akuza apo pushohet procedura penale. Në situatën e parë, kur i akuzuari shpallet fajtor, gjykata mund të vendosë për kërkesën pasurore juridike, nëse ajo është parashtruar, të të dëmtuarit në tërësi ose pjesërisht dhe për pjesën e mbetur e udhëzon në kontest civil. Përderisa, në situatat tjera, gjykata udhëzon të dëmtuarin që kërkesën pasurore juridike ta realizojë në kontest civil”, është shprehur ai.

Po ashtu, Kabashi ka theksuar se në rastet kur kompensimi nuk mund të sigurohet përmes rrugëve të lartpërmendura, Ligji për Kompensimin e Viktimave të Krimit jep të drejtën për kompensim nga Komisioni për Kompensimin e Viktimave të Krimit.

/Shqip.com