Hoxha: Ekspertiza ka treguar se Astrit Dehari ka kryer vetëvrasje
Ish-kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Sylë Hoxha ka folur edhe njëherë për rastin Dehari.
Ai ka thënë se sipas ekspertizës, Astrit Dehari ka bërë vetëvrasje.
“Ekspertizat e kryera jashtë e kanë dëshmuar rastin. Ekspertizat e kryera në Kosovë kanë dëshmuar që nuk është fjala për vrasje por për vetëvrasje, ‘asfiksi’ sic është quajtur nga ekspertët mjeko-ligjor”, ka thënë Sylë Hoxha në ATV.
Ai ka shtuar gjithashtu se rasti është politizuar shumë nga ana e Vetëvendosjes.
Disa ditë më parë përmes një konference për media, deputeti i Vetëvendosjes Haki Abazi ka thënë se duhet të kërkohen këto video-incizime që të konfirmohet se kush i zhduku mostrat e Astrit Deharit.
“Video-incizimet janë ato që ju duhet t’i kërkoni për të konfirmuar se kush ka zhdukur mostrat e rastit Dehari. Hulumtimi im i fundit, pyetjet e mija që kam shtru, diskutimet që kam bërë me njerëz përgjegjës kanë sjellë tek shkarkimi brenda LVV-së. shkarkimi është minor kundrejt borxhit që kem për ta sqaruar deri në fund se çfarë ka ndodhur me rastin Dehari. Si është e mundur që në pushtetin e LVV-së të zhduken mostrat e Astrit Deharit dhe Kurti të mos thotë asnjë fjalë të vetme për këtë gjë. Kamerat nuk mund të gënjejnë se çfarë kanë ndodhur”, tha Abazi.
Abazi përmend edhe emrat të cilët duhet të intervistohen nga Prokuroria.
“Mendoj që prokuroria duhet të marrë në pyetje, Albin Kurtin, Dejona Mihajlin, Albulena Haxhiun, Nazlie Balajn dhe Flutra Gogaj Bajrami. Rasti i Astrit Deharit është shumë i rëndë për tu mbajtur mbi supet e qytetarëve”.
Sipas Abazit, nga kamerat e sigurisë në Institutin e Mjekësisë Ligjore, dihet qartë se kush ka hyrë dhe ka marrë mostrat e Astrit Deharit.
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj ka thënë se do ta intervistojnë deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me pretendimet tij për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit.
/Shqip.com