Lajme

Hovenier: Kosova dhe Serbia janë zotuar që të fokusohen në normalizim të marrëdhënieve

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeff Hovenier ka thënë se Kosova dhe Serbia janë zotuar që të fokusohen me urgjencë në propozimin për normalizimin e marrëdhënieve.

Në një intervistë në Rubikon, Hovenier thotë se dokumenti parashtron disa takime specifike të udhëhequra nga Bashkimi Evropian.

“Kjo varet nga vetë palët, por një nga zotimet e rëndësishme që është bërë nga të dyja palët me marrëveshjen e djeshme është dhe citoj ‘të fokusohemi që të koncentrohemi plotësisht me urgjencë në propozimin për normalizim të marrëdhënieve’ Dokumenti në vetvete parashtron disa takime specifike të udhëhequra nga BE-ja, qëllimi i të cilave është që të punohet drejt tyre dhe të prezantohen rezultate. BE-ja mund të flasë për këto afate, por kjo është në një rrugë të shpejtë, kjo është në një afat kohor që e tregon urgjencën e kësaj çështjeje”, tha Hovenier në Klan Kosova.

Hovenier ka thënë se palët në dialog duhet të tregojnë fleksibilitet dhe kreativitet për të ecur para me marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve

“Epo ka një numër gjërash që duhet të diskutohen në kontekstin e këtij propozimi për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve dhe ajo që Serbia dhe Kosova duhet të bëjnë është që të angazhohen në mënyrë konstruktive në këto negociata. Ndërmjetësuesit e BE-së do të ndihmojnë në definimin e agjendës në bashkëpunim me palët. Ne kërkojmë fleksibilitet, kreativitet dhe përpjekje për të avancuar shumë këtë marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve”.

Ambasadori amerikan, ka thënë se procesi i dialogut me Serbinë është i lehtësuar nga BE-ja.

“Mendoj se keni parë disa indikacione për përkrahjen e SHBA-së në dialogun e lehtësuar nga BE-ja në zhvillimet e djeshme dhe në takimet në fillim të kësaj jave. Ky është një proces i lehtësuar nga BE-ja, është një negociatë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por ne nuk jemi shikues objektiv. SHBA-ja është shumë e interesuara ta shohë këtë proces që të vazhdojë përpara me sukses dhe ne jemi të interesuar të punojmë me të dyja palët për ta çuar përpara”.

“Pra mendoj se do të shihni, ka pasur indikacione edhe nga i dërguari special i BE-së, zotëri Lajçak, i cili e falënderon kryenegociatorin, por gjithashtu falënderon Departamentin e Shtetit në Qeverinë Amerikane  për mbështetjen tonë në arritjen e marrëveshjes së djeshme dhe mendoj se do të vazhdoni të shihni përpjekje të fuqishme nga qeveria ime, nga unë, nga kolegët e mi, nga ambasadori Hill në Beograd, Zëvendësndihmës Sekretari i Shtetit, Gabriel Escobar, dhe një numër i zyrtarëve tjerë, duke na ndihmuar që ta çojmë përpara këtë agjendë strategjike”.

Ajo që poo mundohen ndërkombëtarët të arrijnë, sipas Hovenier është projekti i një Evrope të plotë dhe paqësore.

“Përsëri ajo që po mundohemi të arrijmë është një gjenerim i një ambicie të gjatë të këtij projekti për një Evropë të plotë, të lirë dhe paqësore. Këto kanë qenë me vite qëllimet tona fundamentale të politikave të jashtme dhe besoj se kjo do të kontribuojë në mënyrë direkte që ta shohim këtë qëllim më afër realizimit”.

Megjithatë, Hovenier pohon se palët kanë detyra specifike sa i pëeketë dialogut.

/Shqip.com