Hoti: Vendimi për shkarkimin tim erdhi pasi denoncova Bordin për keqpërdorime
Bordi i Drejtorëve të Stacionit të Autobusëve në Prishtinë, ditë më parë ka marrë vendim për të shkarkuar Luan Hotin nga pozita e kryeshefit ekzekutiv të kësaj ndërmarrje.
Sipas vendimit, arsyet e shkarkimit janë shkeljet ligjore që Hoti ka kryer gjatë kohës si kryeshef.
Në vendimin e tij, Bordi ka numëruar një serë shkeljesh.
Gjithnjë sipas vendimit, atij i është shqiptuar edhe vërejtje me shkrim duke i dhënë afate të caktuara kohore për reflektim, por “i njëjti ka degraduar edhe më tutje sjelljen e tij”.
Por, një vendim të tillë dhe arsyet e lartpërmendura po i kundërshton Hoti, i cili ka një version tjetër për këtë rast.
Vendimi për shkarkimin e tij, pohon se është “jo i ligjshëm, me gabime dhe pretendime të pabaza në arsyetimin e dhënë të vendimit”.
Ai thotë se është njoftuar paraprakisht për shkarkimin dhe sipas tij, vendimi ka ardhur pas një denoncimi që thotë se e kishte bërë për keqpërdorim të detyrës zyrtare nga ana e Bordit të Drejtorëve.
Në një përgjigje me shkrim për Shqip.com, Hoti deklaroi se aksionarët e Stacionit të Autobusëve dhe Bordi i kanë ofruar dorëheqje, të cilën tha se nuk e ka pranuar.
“Aksionarët dhe bordi më kanë ofruar dorëheqje për shkak të ardhmërisë sime të cilën ofertë nuk e kam pranuar. Kjo ka ndodhë me 5 Tetor. Pasi që nuk e kam pranuar ofertën paraprake, me datë 7 me kanë shkarkuar”.
Ndërkohë, Stacioni i Autobusëve në Prishtinë të premten e 8 tetorit 2021, ka shpallur konkurs për pozitën e kryeshefit ekzekutiv të ndërmarrjes, i cili ka mandat tri vite./SHQIP.com