Lajme

Hoti: Pagat duhet të rriten dhe jo të ulën

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se në kohë krize pagat duhet të rriten dhe jo të ulën.

Përmes një postimi në Facebook, Hoti tha se pagat e sistemit të drejtësisë nuk duhet të prekën.

“Në kohë krize, me inflacionin më të lartë në 30 vite, pagat duhet të rriten e jo të ulen. Pagat në sistemin e drejtësisë nuk duhet të preken. Vendimi i sotëm i Qeverisë është joligjor. Kjo çështje është shqyrtuar në shkurt 2020 kur është marrë vendimi për uljen e pagave vetëm për kabinetin qeveritar nga koalicioni i atëhershëm VV-LDK, e jo edhe për sistemin e drejtësisë. Këta që sot e kanë marrë këtë vendim, e dinë mirë se vendimi është joligjor”, shkroi Hoti.

Tutje, Hoti tha se deri në miratimin e Ligjit të pagave, pagat duhet të rritën së paku sa norma e inflacionit në sektorin përkatës.

“Deri në miratimin e ligjit të pagave, duhet të rriten pagat së paku sa norma e inflacionit për arsim, shëndetësi, administratë, polici e FSK dhe sektorë të tjerë që janë me paga të ulëta”.

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës, është marrë vendim që pagat e gjyqtarëve dhe prokuroreve të ndryshohen.

Sipas kryeministrit, Albin Kurti pagat e zyrtarëve të sistemit gjyqësor do të bëhen në lartësinë e rregullimit juridik të vitit 2017, para vendimit për ndryshimin e pagave të kabinetit qeveritar.

Qeveria merr vendim për ndryshimin e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve – SHQIP.com

“Rrjedhimisht për të sjellë ligjshmëri, plotësojmë, ndryshojmë vendimin 01/02 të datës 12 shkurt të vitit 2020 duke shfuqizuar nenet relevante të çështjes së diskutuar. Me këtë, pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve të Kosovës, kthehen në lartësi e rregullimit juridik të mëparshëm, pra para datës së hyrjes në fuqi të vendimit të vitit 2017 për ngritje e pagave të kabinetit qeveritar”, tha Kurti.

Kurti tha se ky vendim ishte marrë në mënyrë joligjore dhe në konflikt interesi nga Qeveria e kaluar.

“Vendimi i marrë paligjshëm dhe në konflikt interesi i Qeverisë së kaluar në vitin 2017 për rritjen e pagave të kabinetit qeveritar është shfuqizuar me vendimin e Qeverisë me datën 12 shkurt 2020. Ky vendim ka paraparë përjashtimin nga kthimi i pagave në gjendjen e mëparshme për sistemin gjyqësor dhe Gjykatën Kushtetuese. Marrë parasysh që ishte në procedurë nga Gjykata Kushtetuese Ligji për Pagat”.

Kujtojmë, se ndryshimi i pagave për kabinetin qeveritar ishte bërë në vitin 2017 nga Qeveria nën udhëheqjen e Ramush Haradinajt.

Lidhur me këtë, Këshilli Gjyqësor i Kosovës do të mbajë mbledhje të jashtëzakonshme.

Pas vendimit që pagat e gjyqtarëve të ndryshohen, KGJK mban mbledhje të jashtëzakonshme – SHQIP.com

Mbledhja do të jetë e mbyllur dhe do të fillojë nga ora 16:00.

/Shqip.com