Pas vendimit që pagat e gjyqtarëve të ndryshohen, KGJK mban mbledhje të jashtëzakonshme
Sot pasdite, Këshilli Gjyqësor i Kosovës do të mbajë mbledhje të jashtëzakonshme.
Sipas njoftimit të KGJK-së, kjo mbledhje do të mbahet për të diskutuar lidhur me vendimin e Qeverisë së Kosovës për uljen e pagave të gjyqtarëve.
Mbledhja do të fillojë nga ora 16:00 dhe do të jetë e mbyllur.
“Diskutim lidhur me vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për uljen e pagave të gjyqtarëve (e mbyllur)”, thuhet në njoftimin e KGJK-së.
Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës, është marrë vendim që pagat e gjyqtarëve dhe prokuroreve të ndryshohen.
Sipas kryeministrit, Albin Kurti pagat e zyrtarëve të sistemit gjyqësor do të bëhen në lartësinë e rregullimit juridik të vitit 2017, para vendimit për ndryshimin e pagave të kabinetit qeveritar.
Qeveria merr vendim për ndryshimin e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve – SHQIP.com
“Rrjedhimisht për të sjellë ligjshmëri, plotësojmë, ndryshojmë vendimin 01/02 të datës 12 shkurt të vitit 2020 duke shfuqizuar nenet relevante të çështjes së diskutuar. Me këtë, pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve të Kosovës, kthehen në lartësi e rregullimit juridik të mëparshëm, pra para datës së hyrjes në fuqi të vendimit të vitit 2017 për ngritje e pagave të kabinetit qeveritar”, tha Kurti.
Kurti tha se ky vendim ishte marrë në mënyrë joligjore dhe në konflikt interesi nga Qeveria e kaluar.
“Vendimi i marrë paligjshëm dhe në konflikt interesi i Qeverisë së kaluar në vitin 2017 për rritjen e pagave të kabinetit qeveritar është shfuqizuar me vendimin e Qeverisë me datën 12 shkurt 2020. Ky vendim ka paraparë përjashtimin nga kthimi i pagave në gjendjen e mëparshme për sistemin gjyqësor dhe Gjykatën Kushtetuese. Marrë parasysh që ishte në procedurë nga Gjykata Kushtetuese Ligji për Pagat”.
Kujtojmë, se ndryshimi i pagave për kabinetin qeveritar ishte bërë në vitin 2017 nga Qeveria nën udhëheqjen e Ramush Haradinajt.
/Shqip.com