Lajme

Qeveria merr vendim për ndryshimin e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve

Qeveria e Kosoves

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës, është marrë vendim që pagat e gjyqtarëve dhe prokuroreve të ndryshohen.

Sipas kryeministrit, Albin Kurti pagat e zyrtarëve të sistemit gjyqësor do të bëhen në lartësinë e rregullimit juridik të vitit 2017, para vendimit për ndryshimin e pagave të kabinetit qeveritar.

“Rrjedhimisht për të sjellë ligjshmëri, plotësojmë, ndryshojmë vendimin 01/02 të datës 12 shkurt të vitit 2020 duke shfuqizuar nenet relevante të çështjes së diskutuar. Me këtë, pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve të Kosovës, kthehen në lartësi e rregullimit juridik të mëparshëm, pra para datës së hyrjes në fuqi të vendimit të vitit 2017 për ngritje e pagave të kabinetit qeveritar”, tha Kurti.

Kurti tha se ky vendim ishte marrë në mënyrë joligjore dhe në konflikt interesi nga Qeveria e kaluar.

“Vendimi i marrë paligjshëm dhe në konflikt interesi i Qeverisë së kaluar në vitin 2017 për rritjen e pagave të kabinetit qeveritar është shfuqizuar me vendimin e Qeverisë me datën 12 shkurt 2020. Ky vendim ka paraparë përjashtimin nga kthimi i pagave në gjendjen e mëparshme për sistemin gjyqësor dhe Gjykatën Kushtetuese. Marrë parasysh që ishte në procedurë nga Gjykata Kushtetuese Ligji për Pagat”.

Kujtojmë, se ndryshimi i pagave për kabinetin qeveritar ishte bërë në vitin 2017 nga Qeveria nën udhëheqjen e Ramush Haradinajt.

/Shqip.com