Lajme

Hoti: Marrëveshja e Uashingtonit s’parashihte moratorium për njohje të reja

Avdullah Hoti

Marrëveshja e Uashingtonit e nënshkruar një vit më parë në Shtëpinë e Bardhë, nuk parashihte moratorium për njohje të reja, por për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Kështu ka deklaruar ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, i cili më 4 shtator 2020, ka nënshkruar marrëveshjen ekonomike me Serbinë të cilën e kishte ndërmjetësuar, Donald Trump duke qenë President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Po e sqaroj se marrëveshja nuk ka paraparë moratorium për njohje të reja. Njohja nga Izraeli e dëshmon këtë. Marrëveshja ka paraparë moratorium njëvjeçar për aplikim për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, i cili moratorium përfundon sot. Ky moratorium është kritikuar nga disa individë të cilët nuk e kanë idenë se si i ka realizuar Kosova anëtarësimet në organizata ndërkombëtare deri më tani”, është shprehur Hoti për Klan Kosovën.

Në njëvjetorin e kësaj ngjarjeje, ka thënë se nuk mund të shkohet asnjë rruge tjetër përveç asaj të respektimit të marrëveshjes, e cila kontestohet nga Qeveria Kurti.

“Kundërshtimi i kësaj marrëveshje nuk është në interesin e Kosovës. Ata që e kundërshtojnë janë kundër integrimit perëndimor të Kosovës, të cilën gjë e do Serbia”.

Lexo edhe:
Vuçiq i brengosur: Kosova pas 4 shtatorit do të fillojë lobimin për njohje

Ndryshe, kryeministri Albin Kurti ka thënë para disa ditësh se disa pika të asaj marrëveshje janë problematike për Kosovën, pasi prekin rendin kushtetues.

Në prag të skadimit të marrëveshjes, Departamenti Amerikan i Shtetit ka inkurajuar palët që ta vazhdojnë moratoriumin që ia ndalon Kosovës aplikimet për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, ndërkaq Serbisë fushatën për anulimin e njohjeve të Kosovës. /SHQIP.com