Lajme

SHBA inkurajon Kosovën e Serbinë të vazhdojnë moratoriumin

Marrëveshja ekonomike midis Kosovës, SHBA-së dhe Serbisë në Uashington më 4 shtator 2020

Vetëm një ditë para se të skadojë moratoriumi i vendosur para një viti në Uashington, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë inkurajuar palët ta shqyrtojnë mundësinë e vazhdimit të tij, transmeton Shqip.com.

Arsye e vazhdimit të moratoriumi mbi çështjen e njohjes dhe aplikimeve në organizata ndërkombëtare, është përmendur rëndësia që dialogu i Brukselit të finalizohet me një marrëveshje gjithëpërfshirëse.

“Për të mbështetur suksesin e dialogut dhe përpjekjet e tjera, ne inkurajojmë të dyja palët që të ruajnë moratoriumet e tyre në çështjet e njohjes që ndërlikojnë përparimin në fushat teknike. Ne po vazhdojmë të punojmë me Kosovën dhe Serbinë për të zbatuar angazhimet e tyre në mbështetje të qëllimit të normalizimit të gjithanshëm të marrëdhënieve”.

“Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të mbështesin punën drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe detyruese të normalizimit midis Kosovës dhe Serbisë, e përqendruar në njohjen reciproke, e cila hedh themelet për bashkëpunim dhe prosperitet të qëndrueshëm”, thonë nga Departamenti Amerikan i Shtetit për “Kohën”.

Marrëveshja e Uashingtonit ishte nënshkruar para një viti në Shtëpinë e Bardhë nga ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, nën praninë e ish-presidentit Donald Trump. /Shqip.com